KRYEFAQJA » LAJME » Muharem Rama i ASHE – kreu i ri i Bashkisë së Dibrës
Muharem Rama i ASHE - kreu i ri i Bashkisë së Dibrës

Muharem Rama i ASHE – kreu i ri i Bashkisë së Dibrës

Mjeku Muharem Rama, i zgjedhur nga Aleanca për Shqipërinë Europiane, do të jetë kreu i ri i Bashkisë së Dibrës. Pas numërimit të 118 kutive të votimit, ai mori 18602 vota, përkundrejt 14435 votave që mori rivali i tij i Aleancës për Punë dhe Dinjitet Sherefedin Shehu. Diferenca 4167 vota flet për një fitore bindëse të koalicionit të majtë në pushtet. Rezultati u prit me brohoritje nga përkrahësit entuziastë  të Ramës. “Falenderoj popullin e Dibrës për besimin. Premtimet fushatës do t’i bëj realitet” u tha ai atyre.

Zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës, të cilat erdhën pas shkarkimit të menjëhershëm të ish kreut të saj Shukri Xhelili, i përfshirë në një aferë seksi, u panë më shumë si një test për qeverinë e kryeministrit socialist Edi Rama si dhe koalicionit të majtë tre vjet pas ardhjes së tij në pushtet. Reformat e forta të ndërmarra, por edhe ngjarjet mjaftë debatueshme gjatë këtyre viteve, pa dyshim do të linin gjurmë në këto zgjedhje. Por ndryshe nga një vit më parë kur fitorja e kandidatit të majtë ishte me një diferencë të vogël, zgjedhjet e 11 shtatorit përfunduan me një diferencë mbresëlënëse për të majtën, gati 10 herë më shumë se një vit më parë. Deklaratat e para të fituesve ja kanë dedikuar këtë fitore popullit dibran i cili më 11 shtator doli në shumcë në votime.  “Nuk e besoja se do të arrinim këtë rezultat” tha ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri, i cili ndoqi nga afër fushatën. Rreth 60 për qind e zgjedhësve morën pjesë në votim, tre për qind më shumë se një vit më parë.

Ndërsa KZAZ 19 numëronte kutitë e fundit, PD më e madhja e opozitës kishte zgjedhur të përkujtonte një ngjarje të hidhur në historinë e saj dhe demokracisë shqiptare, 18 vjetorin e vrasjes së heroit të demokracisë Azem Hajdari. Por lideri i PD Lulzim Basha gjeti rastin të shprehej edhe për zhvillimet e fundit.  “Sot është një ditë e zezë për politikën shqiptare. Politika në aleancë me krimin u kthye në politikë në shërbim të krimit” tha zoti Basha. Sipas tij “Shqipëria e kartelit të drogës, Shqipëria e politikës së bërë njësh me krimin vuan në papunësi, pasiguri, varfëri e mungesë e lirie që thellohet nga dita në ditë”.