KRYEFAQJA » LAJME » Muharrem Rama në Maqellarë
Rama drejt finishit të fitores

Muharrem Rama në Maqellarë

 

Kandidati i majtë për zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 11 Shtator në Dibër, ishte në Maqellarë në vijim të takimeve të tij elektorale. I pranishëm në miting, Kryetari i Grupit Parlamentar të socialistëve Gramoz Ruçi shprehu besimin se kandidatura e Ramës është më e mira për banorët e Dibrës. “Ka 20 vjet që subjekti ynë e kërkon për të kandiduar dhe ai ka hezituar. Kësaj radhe, nuk hezitoi. Pse nuk hezitoi? Sepse profesioni i tij e ndihmon për një gjë, që përpara se të shërosh një pacient duhet të përcaktosh diagnozën dhe ai tani ka përcaktuar diagnozën se ku i dhemb popullit të Peshkopisë. Para se ta ulë në sallë duhet të bindet tek suksesi i operacionit. Tani, ai është i bindur se është në gjendje vërtet të operojë për hallet, problemet e shqetësimet e shumta që ka populli i Peshkopisë”, u shpreh Ruçi. Mbështetjen për kandidatin e majtë e kanë shprehur edhe deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu dhe deputeti i PDIU-së Aqif Rakipi. “Qeveria shqiptare duhet t’ja lehtësojë punën sepse Rama sigurisht që do të fitojë dhe do të jetë kryetari i Bashkisë Dibër. Unë jam shpresë plotë që këtë herë do të kemi mbështetjen e qeverisë. Faleminderit që jemi të gjithë bashkë këtu sot”, theksoi Spahiu. Kordinatori i socialistëve për Qarkun e Dibrës Damian Gjiknuri insistoi se zgjedhja e dibranëve në 11 Shtator është shumë e qartë. “Më mirë ai që ju ka shërbyer dhe e keni këtu sesa ata njerëz që kanë ikur, kanë premtuar mbi 8 vjet se e keni zgjedhur dhe deputet dhe tani vijnë dhe ju kërkojnë votën”, tha ai. Vetë Rama premtoi çertifikimin e të gjitha pronave e tokave në Maqellarë, investime në infrastrukturë, rikonstruksion të shkollave dhe qendrave shëndetësore, investime në sistemin e ujësjellës/kanalizimeve. “Kam besimin e plotë se Maqellara do të jetë kthesa më e madhe për fitoren e bashkisë së Dibrës”, vlerësoi Rama.