KRYEFAQJA » LAJME » Bota » “Mur gjigand zjarri” në Alberta

“Mur gjigand zjarri” në Alberta

Një zjarr kolosal, një “mur gjigand zjarri” siç është përshkruar nga mediat, detyroi autoritetet kanadeze të evakuojnë rreth 60 000 njerëz nga Fort Mekmurrej, e gjithë popullsia e këtij qyteti kanadez. Flakët kanë shkatërruar me dhjetëra shtëpi, ndërsa kanë mbuluar me hi rrugët e këtij qytetit në provicën e Albertës. Mësohet se mijërat e njerëzve në arrati nga flakët kanë shkaktuar shumë probleme dhe bllokime në trafik, megjithatë nuk ka raporte për viktima. Zjarri shpërtheu në pyjet në afërsi të qytetit dhe, sipas autoriteteve, erërat e forta i shtynë flakët drejt zonave të banuara. Me qindra zjarrfikës janë angazhuar në betejën kundër flakëve, por sipas disa ekspertëve, një zjarr i tillë ndalet kur vendos vetë. Sipas meteorologëve, erërat e forta dhe thatësira e kohëve të fundit në zonë kanë bërë që flakët të gjejnë terren shumë të përshtatshëm për t’u përhapur me shpejtësi të madhe.