KRYEFAQJA » LAJME » Mustafa deputetëve të PE: Të përkushtuar në reformat euro-integruese
mustafa

Mustafa deputetëve të PE: Të përkushtuar në reformat euro-integruese

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim delegacionin e Parlamentit Evropian, i cili do të marrë pjesë në takimin e Komisionit Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim Asociim. Pjesë e delegacionit të kryesuar nga Tonino Picula, ishin zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, europarlamentarët Dubravka Suica, Tanja Fajon, Jozo Rados, Georgios Kyrtsos dhe Julie Ward. Kryeministri Mustafa i njohu të pranishmit me progresin në Kosovë, kryesisht me zhvillimin ekonomik, më proceset eurointegruese dhe anëtarësimin e vendit në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare. Duke veçuar rëndësinë që ka për Kosovën hyrja në fuqi e MSA-së, Mustafa, theksoi se ky dokument i hap Kosovës një perspektivë të fuqishme ekonomike, politike dhe në proceset e tjera evropiane, duke pasur parasysh edhe rekomandimin për liberalizimin e vizave. Kryeministri po ashtu foli për hapat konkret që qeveria po ndërmerr në zbatimin e MSA-së, në mënyrë që ajo të japë efektet e pritura në të gjitha fushat. Mustafa theksoi edhe prioritetet e qeverisë së Kosovës për fuqizimin e shtetit ligjor, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe për heqjen e njollës së korrupsionit që i është bërë Kosovës në këtë drejtim. Nga ana e tyre, anëtarët e delegacionit të Parlamentit Evropian dhanë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre për proceset që lidhen me zbatimin e MSA-së dhe zhvillimet e tjera, duke shprehur përkrahjen e tyre për Kosovën në këtë rrugë.