KRYEFAQJA » LAJME » Mustafa : Kosova nuk rrezikon procesin e liberalizimit të vizave
Mustafa : Kosova nuk rrezikon procesin e liberalizimit të vizave

Mustafa : Kosova nuk rrezikon procesin e liberalizimit të vizave

Kryeministri kosovar Isa Mustafa tha të mërkurën se Kosova nuk rrezikon procesin e liberalizimit të vizave. “Nuk ka asnjë arsye që të rrezikohet sepse ne kemi plotësuar të gjitha kriteret” tha ai . Zoti Mustafa e bëri këtë deklaratë, një ditë para se një mision i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së të vizitojë Kosovën për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave. Misioni vlerësues i paraprin vizitës së Komisionerit Avramopoulos, të paralajmëruar në Kosovë për t’u njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.
Ministria për Integrim Evropian e Kosovës ka deklaruar se ka koordinuar procesin dhe së bashku me institucionet tjera përgjegjëse kanë bërë pregatitjet e nevojshme për të pritur misionin vlerësues dhe për të prezentuar të gjitha masat e ndërmarra.
Në 18 dhjetor 2015, Komisioni Evropian ka publikuar raportin e fundit në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky raport ka konstatuar se nga gjithsejt 95 kritere të Udhërrëfyesit, 87 janë zbatuar plotësisht, ndërsa ka dhënë rekomandime për 8 kritere që janë vlerësuar si të plotësuara pjesërisht.
Më problematiku duket kompletimi i Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, proces i cili dështoi në seancën parlamentare të së martës. Presidentja në detyrë Kosovës, Atifete Jahjaga “shprehur qartazi dhe publikisht zhgënjimin” me deputetët që “dështuan të emërojnë anëtarët e rinj të Organit Shqyrtues të Prokurimit, njëri nga kushtet kryesore të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”. Megjithatë zoti Mustafa tha se “Sa i përket Organit Shqyrtues të Prokurimit edhe sistemit të prokurimit, unë mund t’ju them se ne vitin e kaluar kemi kompletuar Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, kemi ndryshuar Ligjin mbi Prokurimin, kemi kaluar nga ky vit në prokurimin elektronik, dje edhe i kemi përcaktuar fazat e zbatimit të prokurimit elektronik gjatë këtij viti në të gjitha agjencionet qendrore, ndërsa nga viti i ardhshëm e bëjmë edhe në pushtetin lokal”tha kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.