KRYEFAQJA » LAJME » NASA: Zbulohet sistemi diellor me 7 planetë të ngjashëm me Tokën
NASA: Zbulohet sistemi diellor me 7 planetë të ngjashëm me Tokën

NASA: Zbulohet sistemi diellor me 7 planetë të ngjashëm me Tokën

Më në fund lajmi i shumëpritur i NASA-s erdhi: është zbuluar një sistem diellor me shtatë planetë, të ngjashëm me Tokën, që rrotullohen rreth një ylli që quhet Trappist-1. Planetet quhen respektivisht Trappist-1 b, c, d, e, f, g, h. Gjashtë prej të cilëve ndodhen në një zonë të butë në të cilën temperatura është ndërmjet zeros dhe 100 gradëve. Bëhet fjalë për një grup planetësh të vendosur në një zonë “të banueshme” të galaktikës tonë, me kushte shumë të favorshme për zhvillimin e jetës.

Kërkimi, që është publikuar në revistën Nature, është vënë për fije nga universiteti belg i Liezhit. Shtatë planetët, që kanë përmasa të ngjashme me ato të Tokës, ka shumë mundësi që të kenë jetë. Zbulimi u jep mundësinë shkencëtarëve që të studiojnë praninë e jetës jashtë Sistemit Diellor. Nga shtatë planetët, tre duhet të gjenden në zonën në të cilën ka shumë mundësi të ketë jetë dhe mund të kenë në sipërfaqen e tyre ujë në gjendje të lëngët.

“Është hera e parë që vëzhgojmë kaq shumë planetë të këtij lloji rrethtë njëjtit yll”, tha Michael Gillon, astronom i Universitetit të Liezhit. Gillon është kryetari i skuadrës ndërkombëtare që po studion Trappist-1, një yll shumë më i vogël sesa Dielli, pra një yll me klasë spektrale M8 D. Është pak më i madh se Jupiteri dhe ka vetëm 8% të masës së Diellit. Ai ndodhet 39 vite-dritë larg nesh. “Kemi hedhur një hap vendimtar drejt mundësisë për të përcaktuar nëse ka jetë, në këto planetë. Kemi një spektrograf të fuqishëm që do të na lejojë të gjejmë molekula të mundshme uji, oksigjeni dhe pra forma të mundshme jetë”, vazhdoi Gillon.

Shtatë planetët janë shumë afër ndërmjet tyre dhe yllit rreth të cilit rrotullohen. Trappist-1 është një yll xhuxh i kuq shumë i ftohtë dhe ka një ndriçim mijëra herë më të vogël se Dielli. Sipas radhës së largësisë nga Trappist-1, rrotullimi i planetëve rreth tij zgjat nga një ditë e gjysmë deri rreth 13 ditë. Orbita e planetit më të largët nuk dihet akoma.

Kërkuesit janë të sigurtë se tre nga shtatë planetët e zbuluar gjenden në zonën e banueshme, pra në një largësi shumë të mirë nga ylli që lejon praninë e ujit në gjendje të lëngshme, siç ndodh për Tokën dhe Diellin. “Të thuash se gjenden në zonën e banueshme do të thotë se mund të kenë oqeane… dhe me shume mumdësi jetë”, nënvizoi Gillon.

Studime të mëtejshme mund të bëhen nëpërmjet teleskopit të ri hapësinor “James Webb” që NASA do ta hedhë në vitin 2018. “Atëherë mund të vlerësojmë më me saktësi përbërësit e atmosferës së planeteve dhe ndoshta mund të gjejmë edhe bioshënues, ose më mirë molekula si ato të ujit, të ozonit, të anhidridit karbonik, të metanit që mund të na tregojnë nëse ka jetë në ato planetë”, saktësoi Gillon.