KRYEFAQJA » LAJME » NATO fton Malin e Zi, Shqipëria e përshëndet
NATO fton Malin e Zi, Shqipëria e përshëndet

NATO fton Malin e Zi, Shqipëria e përshëndet

NATO ka ftuar zyrtarisht të mërkurën Malin e Zi për t’iu bashkuar aleancës ushtarake të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jens Stoltenberg, kreu i NATO-s, tha se bëhet fjalë për një “vendim historik”. Ky është zgjerimi i parë i NATO-s në 6 vitet e fundit. Rusia ka paralajmëruar gjithmonë kundër përfshirjes së Malit të Zi në NATO, duke thënë se kjo gjë do të ishte një kërcënim për stabilitetin në Ballkanin perëndimor. Negociatat për futjen e Malit të Zi në NATO pritet të zgjasin rreth një vit.
Shqipëria përshëndeti menjëherë Malin e Zi për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Në një deklaratë të MPJ, nënvizohet se Shqipëria ka qenë dhe mbetet një promotore e fortë e politikës së dyerve të hapura të Aleancës, pasi integrimi Euro-Atlantik është një vizion për një komunitet më të sigurtë dhe të qëndrueshëm trans-atlantik. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO ka një rëndësi gjeostrategjike, jo vetëm për Aleancën, por gjithashtu për të gjithë rajonin tonë, pasi konsolidon arkitekturën e sigurisë në hapësirën e Evropës Adriatike.