KRYEFAQJA » LAJME » NATO-ja pritet të ftojë zyrtarisht Malin e Zi t’i bashkohet aleancës ushtarake

NATO-ja pritet të ftojë zyrtarisht Malin e Zi t’i bashkohet aleancës ushtarake

 

NATO-ja pritet të ftojë zyrtarisht Malin e Zi t’i bashkohet aleancës ushtarake, pavarësisht kundërshtimeve nga Rusia. Diplomatë të NATO-s pohuan se Mali i Zi, shteti i ballkanit me 650,000 banorë, do të ftohet zyrtarisht më 2 dhjetor. Ministrat e Jashtëm të NATO-s mbajnë sot dhe nesër takimin e radhes në Bruksel, ndërsa sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, u shpreh se ftesa për Malin e Zi figuron krahas temave te tjera në axhendë. Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudeau tha se anatërësimi i këtij vendi në NATO do të kontribuojë për të shtuar sigurinë në rajon. “Ne përshëndesim përparimet që ka arritur qeveria e Malit të Zi dhe ne jemi të përgatitur të mbështesim ftesën e anëtarësimit. Besojmë se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, do të ndihmonte për sigurinë në Ballkan dhe Evropë”. Rusia ka paralajmëruar Malin e Zi se bashkimi me NATO-n do të konsiderohet si provokim. Partitë pro-ruse në Mal të Zi, me javë të tëra, kanë organizuar protesta në rrugët e Podgoricës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Millo Gjukanoviq dhe zgjedhje të parakohshme. Gjukanoviqi thote se qëllimi i tyre është ta bëjnë Malin e Zi të duket i paqëndrueshëm. NATOja për herë të fundit, u zgjerua në vitin 2009 me Shqipërinë dhe Kroacinë.