KRYEFAQJA » LAJME » Bota » NATO-Rusisë: Përqasje e dyfishtë ndaj Moskës

NATO-Rusisë: Përqasje e dyfishtë ndaj Moskës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha sot se aleanca ka rënë dakord për të kërkuar një takim tjetër me Rusinë para se liderët e vendeve anëtare të organizatës të takohen këtë korrik në Varshavë. Stoltenberg u shpreh se ministrat e jashtëm të aleancës ranë dakord për të ndjekur një përqasje të dyfishtë ndaj Moskës: të vazhdojnë përforcimin e mbrojtjes së NATO-s ndaj kërcënimit rus në rritje, por gjithashtu të vijojnë dialogun me Kremlinin. “Ne ramë dakord që kemi nevojë për një platformë si Këshilli NATO-Rusi për të ndjekur transparencën dhe për të punuar për zgjerimin e mekanizmave në reduktimin e rrezikut dhe shmangjen e situatave të rrezikshme”, tha Stoltenberg. Keshilli NATO-Rusi, i themeluar në vitin 2002, kur marrëdhëniet mes ish-armiqve të Luftës së Ftohtë ishin përmirësuar, u takua muajin e shkuar për herë të parë në dy vite. Ai takim dështoi përsa i takon vendosjes së urave mes diferencave të Rusisë dhe aleancës së drejtuar nga SHBA-të, të cilat u thelluan kur Rusia aneksoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014.