KRYEFAQJA » LAJME » Ndalohet Morina, krijuesi i “Autochthonous”-it
Dënohet "Njeriu dron"

Ndalohet Morina, krijuesi i “Autochthonous”-it

Policia shqiptare njoftoi të mërkurën ndalimin e Ismail Morinës, njeriu që pretendon se ka ngritur dronin me flamurin me mbishkrimin “Autochthonous” tetorin e kaluar në Beograd, gjatë takimit futbollistik Serbi – Shqipëri. Sipas njoftimit të policisë ndalimi i Morinës është bërë pranë tregut elektrik, në rrugën “Petro Nini Luarasi” ndërsa ai ishte duke udhëtuar së bashku me tre persona të tjerë në një makinë. Policia bën të ditur se atyre u është gjetur një armë ç’ka ka mjaftuar që ata të ndalohen.
Ngjarja vjen vetëm një ditë para takimit Shqipëri – Serbi në “Elbasan Arena”, takim që po vlerësohet më shumë se sportiv. Më parë autoritetet shqiptare kishin njoftuar se Morina, xhesti i të cilit në Beograd provokoi një stuhi në marrëdhëniet shqiptaro-serbe,  nuk do të lejohej në stadium. Por në disa media Morina kish deklaruar se do të ishte në mënyrë të padiskutueshme në takimin Shqipëri-Serbi, madje se do kishte një surprizë për kryeministrin serb Vuçiç.