KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ndarja e çmimeve Tony Awards iu kushtua viktimave të sulmit të armatosur në Orlando
tony awards

Ndarja e çmimeve Tony Awards iu kushtua viktimave të sulmit të armatosur në Orlando

Sulmi vdekjeprurës në Orlando të Floridës ishte në fokusin e Çmimeve Tony Awards 2016, për arritjet e shënuara në Teatrin Broadway, që u zhvillua mbrëmjen e djeshme. Shumë nga yjet pjesëmarrës dënuan aktin që u mori jetën të paktën 50 personave në një klub nate që frekuentohej nga anëtarë të komunitetit gei. “Të gjithë njerëzit përreth botës po përpiqen të kuptojnë ngjarjen e tmerrshme që ndodhi në Orlando. Në emër të komunitetit të teatrit dhe çdo personi në këtë sallë, dua të them se zemrat tona qëndrojnë pranë njerëzve që u prekën nga kjo tragjedi”, u shpreh Xhejms Korden në fillim të ceremonisë. Gjatë mbrëmjes së djeshme u shpërndanë 26 statuja të arta, 11 prej të cilave u fituan nga mjuzikali Hemillton. Risi e këtij viti ishte edhe pjesëmarrja pas 46 vitesh në skenën e Tony Awards e së madhes Barbara Streizënd e cila ndau çmimin e Mjuzikalit më të mirë. Ndërkohë, të gjitha ndërtesat e Nju Jorkut u ndriçuan mbrëmë me ngjyrat e ylberit dhe flamurit amerikan në nderim të viktimave të sulmit më të madh të armatosur që ka ndodhur në historinë e SHBA-ve.