KRYEFAQJA » LAJME » Ndërkombëtarët rrisin presionin ndaj gjyqësorit shqiptar
Ligji i dekriminalizimit, disa gjyqtarët kanë ndërruar gjeneralitetet

Ndërkombëtarët rrisin presionin ndaj gjyqësorit shqiptar

Përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë që po mbikqyrin reformën në drejtësi, po shprehin shqetësimin gjithnjë në rritje për përhapjen e korrupsionit në gjyqësorin shqiptar. Gjatë një konsulte publike në Tiranë, ata vetëm se nuk përmendën emra para gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.
Ambasadorja e BE Romana Vlahutin, ndërsa theksoi se reforma është hap i panegociueshëm për anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e Bashkimit Europian, tha se procedura e kontrollit është në zemër të saj. Zonja Vllahutin përmendi se disa gjyqtarë shqiptare zotërojnë prona miliona euro, të cilat sipas saj duhet t’i justifikojnë. “Ka disa gjyqtarë në vend pronë e të cilave kanë vlerë miliona euro dhe që janë të pashpjegueshme. Është pak e pashjegueshme kur në një vend të vogël e të varfër, dhe ku paga më e madhe e një gjyqatri është 1500 euro, disa kanë akumuluar miliona euro. Pse ndodh kjo ?” pyeti ambasadorja Vllahutin. “Ndoshta shumë prej tyre janë martuar me partnerë shumë të pasur apo për shkak të faktit që vijnë nga familje të pasura” u përgjigj ajo. “Si është e mundur që 150 referime kriminale për pasuri të pashpjegueshme gjatë vitit të fundit kanë përfunduar në 4- 5 ndjekje penale?! A është ky një sistem që mendohet se do t’i mbrojë qytetarët nga korrupsioni apo është sistem për të mbrotjur personat e korruptuar nga përballja me ligjin?! Duhet të ketë qartësi” tha zonja Vllahutin.
Më tej ajo dha një këshillë për gjyqtarët shqiptarë: “Nëse unë do të isha një prej atyre gjyqtarëve që mendojnë se milionat e tyre vijnë prej partnerëve me të cilët janë martuar dhe që ato janë shumë të pasur, unë vetë do të isha mbështetësi kryesor I kësaj reforme. Do të doja që pasuria ime të kontrollohej deri në detaj dhe të tregoja se jam i pastër. Ky proces duhet të qartësojë se kush janë ata gjyqtarë e prokurorë që meritojnë respektin dhe mbështetjen sepse punojnë me dinjitet dhe kush janë ata që mendojnë se janë mbi të gjitha ligjet morale dhe ligjore” tha ambasadorja Vllahutin.”25 vite më parë ju fituat lirinë inviduale për të thënë atë çfarë mendonit, dhe jo të robëroheshit dhe të abuzoheshit sistematikisht nga njerëz të serës tuaj. Nuk ka asnjë person të paprekshëm. Vetëm mendohet prej disa se janë të paprekshëm dhe ata mbështeten tek kultura e pandëshkueshmërisë dhe tek njerëzit të cilët e kanë humbur shpresën dhe janë të shterruar nga lufta constant me arrogancën e krimit. Këta persona nuk është se janë më inteligjentë dhe më të aftë se ne” tha në fjalën e saj zonja Romana Vllahutin, ambasadore e BE në Tiranë.
Konkret dhe i ashpër ishte edhe Rainer Deville, Gjyqtar pranë Gjykatës së Lartë të Apelit (Oberlandesgericht) në Gjermani, Shefi i Misionit EURALIUS. “Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët duhet të paraqesin një deklaratë të pasurive dhe duhet të tregojnë nëse kanë shumë miliona, se ku i kanë gjetur ato dhe si i kanë siguruar. Duhet ta provojnë këtë gjë dhe të justifikojnë milionat.Në qoftë se nuk jeni në gjendje të justifikoni milionat tuaja në këtë rast duhet të keni një problem” u tha drejtëpërdrejtë Rainer Deville të pranishmëve. “Këtu mund të hyjë në lojë masa disiplinore për t’i shkarkuar këta prokurorë apo gjyqtarë. Nuk është diçka e re. Ju e dini këtë praktikë” tha ai. Por zoti Deville shkoi më tej duke u ndalur në etikën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Në qoftë se jeni gjyqtarë në krimin e organizuar dhe bosi i mafias është në zyrën tuaj dhe ju hani drekë me të dhe uleni me të në kafe, nëse ne kemi prova të mjaftueshme për këto lidhje të prokurorit me krimin e organizuar, atëherë këta persona nuk duhet të kualifikohen për të qënë gjyqtarë. Mos pini kafe me shefin e mafias. Nëse nuk e pini kafen me shefin e mafias atëherë nuk keni pse të shqetësoheni” tha gjyqtari gjerman Rainer Deville Shefi i Misionit EURALIUS.
Sipas disa analistëve tonet e larta të deklarimeve të përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë rrisin shpresat për një reformë efikase në drejtësinë shqiptare, mjaftë e akuzuar për nivelin e lartë të korrupsionit.