KRYEFAQJA » LAJME » Ndërkombëtarët rritin presionin ndaj gjyqësorit shqiptar
Lu: "Shqipëria të miratojë ligjin e duhur për një njësi anti-korrupsion të pavarur dhe të paepur"

Ndërkombëtarët rritin presionin ndaj gjyqësorit shqiptar

Në Tiranë përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar po shtojnë gjithnjë e më shumë presionin për ndërmarrjen e reformave në drejtësi, veçmas në gjyqësorin shqiptar.

Në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, në Tiranë ambasadori i SHBA-së, Doland Lu edhe njëherë ka folur pa dorashka. Fillimisht duket se ai u është drejtuar gjyqtarëve të korruptuar. “Prova ime për korrupsionin është shumë e thjeshtë. Nëse keni marrë ndonjëherë para ose favore në shkëmbim të një vendimi gjykate, jeni një gjyqtar i korruptuar. Edhe nëse e ke bërë këtë vetëm një herë, ke thyer ligjin dhe nuk je i përshtatshëm të shërbesh si gjyqtar” u është drejtuar ai pjesmarrësve në sallë, shumica gjyqtarë. “Një kriter tjetër, shumë i thjeshtë” ka thënë ai. “Nëse ulni kokën dhe shihni kyçin e dorës e mbani një orë që kushton më shumë se makina ime ka të ngjarë të jeni një gjyqtar i korruptuar” tha ambasadori Lu. “Nëse ky është rasti, ju nxis ta lini këtë profesion menjëherë, mund dhe të futeni në burg së shpejti” ka shtuar ai.

Por një mesazh ka lështuar ambasadori Lu edhe për gjyqtarët e ndershëm. “Kini besim se ndryshimi po vjen. Besoj se pjesa më e madhe e gjyqtarëve janë profesionistë që duan të jenë krenarë për profesionin e tyre. E di që është e vështirë të jesh gjyqtar i ndershëm në Shqipëri. Nuk punon për shumë para dhe ka trysni në çdo drejtim për të marrë vendime. Gjyqtarët e ndershëm si ju meritojnë të punojnë në një sistem që shpërblen integritetin, meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe përvojës dhe të bëheni simboli i meritës dhe së drejtës në Shqipëri në vend të imazhit të sotëm të gjyqtarëve të korruptuar që mbajnë ora Cartier” u shpreh zoti Lu në deklaratën e tij, që dukej se u referohej personave konkretë.

Më parë në Konferencën Gjyqësore Kombëtare, foli dhe ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vllahuti. Ajo tha se kjo reformë synon të luftojë sjelljet korruptive dhe korporatiste të asaj pjesë të gjyqësorit që po shkatërron reputacionin e gjyqtarëve të ndershëm dhe themelet e demokracisë në vend. “Kjo nuk është reformë kundër gjyqtarëve, përkundrazi. Kjo reformë është projektuar në mënyrë që të sillet sërish besimi dhe dinjiteti i të gjithë atyre që e bëjnë punë me përkushtim dhe në mënyrë të ndërgjegjshme” tha zonja Vllahutin. “Po të isha unë gjyqtare në Shqipëri, do të isha e para që do kërkoja reformën duke përfshirë dhe rivlerësimin e gjyqtarëve. Kjo për arsye se do të doja që të mbroja respektin, por dhe vlerësimin për punën time dhe profesionin tim” tha zonja Vllahutin në një deklaratë që tingëlloi si thirrje ndaj gjyqtarëve shqiptarë.