KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh” Niko Nikolla

Nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh” Niko Nikolla

Niko Nikolla, publicisti, pena e hollë e humorit dhe një nga personalitetet e gazetarisë shqiptare, është nderuar pas vdekjes me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Gjatë një ceremonie në presidencë ku merrnin pjesë familjare, miq dhe kolegë apo apustuj të modelit që ai i ofroi gazetarisë shqiptare, presidenti Nishani bëri dekretimin me motivacionin: “Për kontributin e tij të çmuar si gazetar i përkushtuar, publicist dhe shkrimtar, i cili me humorin dhe sarkazmin e tij, përjetësoi portrete dhe ngjarje të spikatura të kohës”.

Presidenti Nishani në fjalën e tij me këtë rast u ndal gjatë në frymën opozitare që solli kontributi i Niko Nikollës në gazetarinë shqiptare. “Niko Nikolla, ky mjeshtër i madh i gazetarisë qesëndisëse, i cili sot fatkeqësisht nuk ndodhet mes nesh, por që në mendjen dhe kujtimet tona mbetet i paharrueshëm, në saje të punës dhe kontributeve të tij të paharrueshme, është i njohur në Shqipëri si njeriu që arriti të drejtojë për 25 vjet si kryeredaktor i saj, revistën “Hosteni”, njëherazi edhe ajo që quhej nën zë në atë kohë të errët, revista e parë opozitare në vend” u shpreh presidenti i vendit Bujar Nishani.

Puna dhe vepra e Niko Nikollës dolën më në pah në kohën kur ka punuar si gazetar, publicist e shkrimtar me një vrojtim të mprehtë të dukurive të jetës, për dyzet vjet me radhë, duke i rënë Shqipërisë kryq e tërthor. Gjurmët e maratonës së punës së tij i gjejmë në qindra artikuj, reportazhe, fejtone, shënime e lajme, nëpër faqet e gazetave dhe revistave.