KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ndërpritet bashkëpunimi SHBA-Rusi lidhur me konfliktin në Siri

Ndërpritet bashkëpunimi SHBA-Rusi lidhur me konfliktin në Siri

Shtetet e Bashkuara pezulluan kontaktet dypalëshe me Rusinë lidhur me konfliktin në Siri. Në një deklaratë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby tha se “Shtetet e Bashkuara po pezullojnë pjesëmarrjen e tyre në kanalet dypalëshe me Rusinë që ishin vendosur për të mbështetur ndërprerjen e luftimeve”. “Nuk është një vendim që u mor lehtë”, tha ai. Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry kërcënoi se do t’u jepej fund bisedimeve me Rusinë për shkak të bombardimeve të saj të vazhdueshme në qytetin sirian të Aleppo. SHBA, tha Departamenti i Shtetit, nuk kanë kursyer asnjë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes me Rusinë për pakësimin e dhunës, por fatkeqësisht Moska nuk i mbajti angazhimet. Përkundrazi, thuhej në deklaratën e Departamentit të shtetit, Rusia dhe regjimi sirian zgjodhen të ndjekin një kurs ushtarak, siç duket edhe nga shtimi i sulmeve të tyre ndaj zonave civile, ku kanë vënë shënjestër objekte të rëndësishme civile, si spitalet. Në deklaratë përmendej sulmi i 19 shtatorit ndaj një autokolone humanitare me ndihma. Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të hënën një dekret që pezullon marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për asgjësimin e plutoniumit që përdoret për prodhimin e armëve. Ai përmendi si arsye veprimet sipas tij “jomiqësore” të Uashingtonit. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje “të garantojnë zbatimin e detyrimeve të tyre për përdorimin e sasive të tepërta të plutoniumit.