KRYEFAQJA » LAJME » Ndërron jetë autori i zjarrvënies në spital
zjarri

Ndërron jetë autori i zjarrvënies në spital

Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në pavionin e hemodializës në Spitalin Amerikan, dëshmitarët tregojnë se motivi i zjarrvënies nga pacienti Lefter Canaj dyshohet të ketë qenë radha për marrjen e shërbimit. Televizioni shqiptar ka siguruar videon e ngjarjes ku duket qartë momenti kur Canaj, pacient në këtë spital, i hedh benzinë dhe i vë flakën pacientit tjetër, Dashamir Saraçi. Zjarri përfshin menjëherë 38-vjeçarin, por edhe pacientët e tjerë aty pranë. Plagë të rënda në trup ka marrë edhe vetë autori i ngjarjes, i cili mesditën e kësaj të marte nuk ka mundur dot t’u mbijetoje. Policia më herët kishte njoftuar arrestimin e tij për akuzat e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “shkatërrim të pronës me zjarr”. Nga kjo ngjarje e rëndë humbën jetën tragjikisht dy paciente të moshës 55-vjeçare, Hanife Mali dhe Sanije Sulaj të cilat në momentin e zjarrvënies po merrnin shërbimin e Hemodializës dhe ndodheshin me aparatura në duar dhe s’kanë mundur të dalin nga pavioni.