KRYEFAQJA » LAJME » Ndërtimi 17 katësh, Veliaj : Të protestojmë ndaj gjykatës! Bozdo: Ky është dhunim i drejtësisë!

Ndërtimi 17 katësh, Veliaj : Të protestojmë ndaj gjykatës! Bozdo: Ky është dhunim i drejtësisë!

Gjykata e apelit administrativ ka rrëzuar të martën kërkesën e Bashkisë së Tiranës për të ndryshuar trupin gjykues i cili po gjykon ligjshërinë e lejes së ndërtimit të një pallati 17 katësh poshtë digës së Liqenit Artificial të Tiranës. Ndryshimi i trupit gjykues ishte kërkuar pasi Bashkia e Tiranës thotë se një anëtar i trupit gjykues ka lidhje fisnore me një prej ndërtuesve. Pas vendimit kryebashkiaku Erion Veliaj ka dalë përpara mediave, duke e cilësuar vendimin e gjykatës të paprecedentë dhe skandaloz. Zoti Veliaj ka hedhur akuza ndaj presidentin Nishani, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ish kryeministrit Sali Berish dhe kreut aktual të opozitës Lulzim Basha si të implikuar në këtë çëshje. Duke ftuar qytetarët të protestojnë të mërkurën përpara gjykatës së apelit administrativ, zoti Veliaj tha se ky është një tjetër rast që thekson domosdoshmërinë e reformës në drejtësi.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ish nënkryetari demokrat i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo i cili në një deklarim për shtypin tha se kjo është një ftesë e zotit Veliaj të dhunuar drejtësinë pasi ka dhunuar Tiranën. Sipas zotit Bozdo kreu aktual i Bashkisë së Tiranës “…kërkon të fshehë përgjegjësinë para qytetarëve të Tiranës, njeriu që mashtroi se nuk do të rriten taksat, mashtroi se nuk do të rritet çmimi i biletës, mashtroi se nuk do lejontë asnjë ndërtim në Tiranë”.
Pritet që vendimi mbi këtë çështje të merret të mërkurën, por cilido qoftë ai do të ketë reagime.