KRYEFAQJA » LAJME » Ndërtimi i Sheshit “Skënderbej”, normalizohet qarkullimi

Ndërtimi i Sheshit “Skënderbej”, normalizohet qarkullimi

Në ditën e dytë të punimeve për rikualifikimin e Sheshit “Skënderbej”, qarkullimi i automjeteve në qendër të Tiranës i është rikthyer normalitetit. Informacionet për nevojën e shmangies së lëvizjes përreth sheshit, por edhe shërbimet e shtuara këshilluese të policisë rrugore e asaj bashkiake, kanë bërë që drejtuesit e mjeteve të zgedhin rrugë të tjera me qarkullim me të shpejtë. Javën e ardhshme pritet të zhvendoset nënstacioni elektrik pas Hotel “Tirana Internacional”, për t’i hapur rrugë përfundimit të unazes së vogël, e cila është menduar si zgjidhja përfundimtare për problemin e trafikut në kushtet kur Sheshi “Skenderbej” do të kthehet në pedonalen më të madhe në vend. Kryebashkiaku Erion Velia, i cili ndjek nga afër punimet ka paralajmëruar se kundërshtitë ndaj projektit do të shkojnë edhe me tej. “Histeria ndaj projektit do të jetë më keq se për këndin e lodrave tek liqeni” tha ai gjatë një takimi me administratorët e 24 njësive të Tiranës. Më pare ai kish thënë se “Sot kemi fatmirësisht një projekt që është akoma më i mirë se projekti fillestar për të çuar përpara atë projektin që nisi 5 vite më përpara, por që ngeli në gjysmë të rrugës për t’i dhënë Shqipërisë, Tiranës hapësirën më të madhe pendale në gjithë rajonin e Ballkanit”. Por opozita nga ana e saj e ka kundërshtuar. Sipas këshilltarit demokrat në Bashkinë e Tiranës Leonard Olli, “4 milionë euro do t’u kushtojë shqiptarëve ky trill i Edi Ramës. Ndërkohë që trojet publike do të grabiten si sipër ashtu edhe nën sipërfaqen e tokës”.
Zoti Veliaj ka dhënë ndërkaq udhezime edhe për masa të reja në qarkullimin e automjeteve me rastin e fillimit të vitit shkollor. Ai tha se nga ora 7-9 të mëngjesit, nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të transportit në unazën e mesme të qytetit dhe as i mjeteve të tonazhit të rënde brenda qytetit, me përjashtim të atyre që punojnë për projektin e Sheshit “Skënderbej”, Unazës së Vogël dhe atë të Stadiumit “Arena Kombëtare” ish Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”.