KRYEFAQJA » LAJME » Ndërtimi tek diga e liqenit, përplasje e pashembullt midis Nishanit dhe Veliajt
17 katëshi, gjykata nuk ndryshon trupën gjykuese

Ndërtimi tek diga e liqenit, përplasje e pashembullt midis Nishanit dhe Veliajt

Marrëdhëniet mes presidentit Bujar Nishani dhe kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj janë acaruar ndjeshëm, rast i paprecedent ky në historinë e këtyre institucioneve. Gjithçka lindi pak kohë më parë pas një konflikti midis tyre për shkak të qëndrimit të papajtueshëm mbi ndërtimin nje këndi lojrash në parkun e Liqenit Artificial, për të arritur kulmin me përplasjen në dukje të pariparueshme lidhur me ndërtimin e një godine 17 katshe poshtë digës së tij.
Zoti Nishani doli të enjten në një konferencë të pazakontë për shtyp, ku hodhi poshtë një deklaratë që i atribuohej zotit Veliaj, ku kreu i ishtetit akuzohej si “hajdut”. “Unë besoj që shqiptarët nuk mund të kenë në zyrën e Presidentit të Republikës një hajdut. Drejtësia duhet ose të vërtetojë akuzat dhe identifikojë Presidentin si hajdut dhe ta dënojë atë në bazë të krimit, ose përdhosësin e shtetit shqiptar përmes shpifjes ta dërgojë të përballet me ligjin. Kjo është një rrugë pa kthim” tha zoti Nishani, duke paralajmëruar edhe nisjen e një procesi gjyqësor ndaj kreut të bashkisë. Ai akuzoi gjithashtu zotin Veliaj për atë që ai e quajti sulm të dhunshëm ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ. “Sulmi i dhunshëm qartazi terrorizues ndaj gjyqtarëve në ushtrim të detyrës dhe funksioneve të tyre kushtetuese e dënojmë me ashpërsinë më të madhe. Sulm ishte i organizuar, instrumentalizuar politikisht ndaj një pushtetit të pavarur kushtetues” tha presidenti Nishani.
I menjëhershme ka qenë edhe ragimi i Bashkisë së Tiranës. “Bujar Nishani nuk bëri gjë tjetër veçse konfirmoi edhe njëherë se është një “lodër” në duart e njërit prej biznesmenëve të familjes, duke humbur kështu legjitimitetin e të qenit përfaqësues i unitetit të popullit” shkruhet në deklaratën e këtij institucioni. “Si mund të dalë presidenti hapur kundër një parku lojërash për fëmijë, në emër të luftës kundër betonit, dhe nga ana tjetër mbështet po kaq hapur një lojë të shpifur korrupsioni, në një gjykatë që vendos ‘a do kemi park për fëmijët, apo një mal të rrezikshëm betoni’ ngjitur me digën e liqenit?!” shtrohet pyetja në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.
Konflikti presidencë – bashki ka arritur kulmin, ndërsa të premten pritet që gjykata administarive pritet të japi vendimin lidhur me ndërtimin ose jo të nje godine 17 katshe poshtë digës së liqenit. Deklarata e bashkisë bën të ditur se kreu i saj Erion Veliaj do t’u drejtohet qytetarëve për shpalljen e hapur të aleancës mes presidentit dhe korrupsionit në çështjen e malit të betonit, që gjykata kërkon ta legjitimojë duke shkelur ligjin.