KRYEFAQJA » LAJME » Ndeshja Shqipëri – Gjeorgji mbyll ciklin e Qemal Stafës
Ndeshja Shqipëri - Gjeorgji mbyll ciklin e Qemal Stafës

Ndeshja Shqipëri – Gjeorgji mbyll ciklin e Qemal Stafës

Shqipëria dhe Gjeorgjia do të përballen sot në një ndeshje miqësore. Ndeshja do të luhet në orën 20:00 në stadiumin kombëtar Qemal Stafa. Kjo do të jetë takimi i fundit i kombëtares kuqezi në këtë stadium pasi nga janari i vitit të ardhshëm fillon prishja e tij për t’u zëvendësuar me stadiumin e ri që do të marrë emrin Arena Kombëtare. Kndeshje luhet në kuadër të përgatitjes që trajneri italian Giovanni De Biasi po u bën lojtarëve për kampionatin europian.

“Me Gjeorgjinë, do të kemi një ndeshje të veçantë, pas asaj festive të zhvilluar me Kosovën në Prishtinë. Ndaj gjeorgjianëve do të provojmë gjëra të reja, në mënyrë që të përcaktojmë disa gjëra të rëndësishme të vlefshme për Euro 2016. Në Francë, do të vijnë kryesisht ata që kanë kontribuuar në kualifikimin historik të Shqipërisë, ndërkohë që dyert e kombëtares do të mbeten të hapura për cilindo që do të shpërthejë papritur apo do të ketë një ecuri pozitive në vijimësi”, tha De Biasi.

Në konferencë foli edhe kapiteni kuqezi, Lorik Cana. “Armiku ynë i vetëm në Francë do të jetë eksperienca e paktë e lojtarëve të përfaqësueses në kompeticione të tilla, siç do të jetë Europiani. Por, do të përpiqemi të japim maksimumin, pse jo edhe të surprizojmë, nëse do të na jepet mundësia”.

Shqipëria dhe Gjeorgjia kanë një histori prej 12 ndeshjesh. Kombëtarja e jonë ka fituar tre ndeshje. Gjeorgjanët kanë fituar shtatë. Dy ndeshje janë mbyllur në barazim. Nga këto, dy takime janë zhvilluar në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për botërorin Gjermani 2006. Secila ka fituar në vendin e vet. Gjashtë janë zhvilluar në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për në kampionatet europiane, Shqipëria ka fituar dy, Gjeorgjia katër. Gjithashtu janë luajtur edhe katër ndeshje miqësore. Dy ndeshje i ka fituar Gjeorgjia dhe dy të tjerat janë mbyllur me barazim. Dy barazimet janë marrë në Tiranë, 0-0 me 12 mars 2006 dhe 1-1 me 10 qershor 2009.