KRYEFAQJA » LAJME » Ndeshjet e kthimit të turit të dytë për Kupën e Shqipërisë
Ndeshjet e kthimit të turit të dytë për Kupën e Shqipërisë

Ndeshjet e kthimit të turit të dytë për Kupën e Shqipërisë

U luajtën të mërkurën pasdite tre nga katër ndeshjet e kthimit të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Ndeshjet e Grupit A ishin: Partizani – Lushnja, Laçi – Bylis, Vllaznia – Apolinia dhe Skënderbeu – Sopoti.

Partizani – Lushnja u mbyll me fitaorn e kryeqytetasve me rezultatin 3-0. Golat u shënuan nga Ismailaj në të 2′, Morini në të 42′ dhe Bylykbashi në të 79′. Ndeshja e parë në Lushnje ishte mbyllur 3-1 për Partizanin që kualifikohet kështu për në çerekfinale.

Ndeshja tjetër ishte ajo mes Laçit dhe Bylisit. Kjo ishte ndeshja më dramatike e këtij turi. Vendasit kalojnë në avantazh me anë të Xhejms në të 8′. Miqtë barazojnë rezultatin në të 39′ me anë të një autogoli të Buljanit dhe kalojnë në avantazh dy minuta më vonë me anë të Asanit. Pjesa e parë mbyllet me fitoren e Bylisit. Në pjesën e dytë vendasit barazojnë me anë të Xhejms në të 47′ dhe është po Xhejms që në të 60′ vulos rezultatin përfundimtar 3-2 për vendasit. Ndeshja e parë kishte përfunduar 0-0 kështu që Laçi është skuadra që kualifikohet për në turin tjetër.

Vllaznia e Shkodrës fiton ndaj Apolonisë me rezultatin 2-1. Skodranët kalojnë në avantazh me anë të Krajës në të 23′ dhe dyfishojnë rezultatin me anë të Martinez në të 36′. Fierakët shkurtojnë avantazhin shkodran në të 55′ me anë të Nakos por kjo nuk i mjafton Apolonisë për t’u kualifikuar. Skuadra që vazhdon ëndrrën e saj në Kupën e Shqipërisë është Vllaznia që në ndeshjen e parë kishte barazuar 0-0 në Fier.

Ndeshja tjetër e këtij grupi Skënderbeu – Sopoti është shtyrë për shkak se korçrët luajnë të enjten në mbrëmje (ora 21:05) ndeshjen e radhës (e katërta) e vlefshme për Grupin H të Ligës së Europës kundër portugezëve të Sportingut të Lisbonës në Elbasan Arena.

Ndeshjet e Grupit B ishin: Kukësi – Iliria, Tirana – Kastrioti, Flamurtari – Tërbuni dhe Teuta – Kamza. në ndeshjen e luajtur në Kukës, vendasit fituan kundër Ilirisë me rezultatin 3-1. Vendasit kalojnë në avantazh me anë të Musollit në të 20′, dyfishon rezultatin Mateus në të 58′. Myrta shkurton avantazhin e kuksianëve në të 81′ dhe vulos rezultatin për vendasit Mateus në të 90′. Ndeshja e parë në Fushë Krujë ishte fituar 5-0 nga Kukësi që kualifikohet kështu për në çerekfinale.

Në ndeshjen tjetër u vunë përballë Tirana dhe Kastrioti. Vendasit kaluan në avantazh me anë të Likës në të 10′, dyfishon rezultatin Halili në të 54′. Miqtë shënojnë me anë të Lekës në të 79′ duke e fiksuar rezultatin përfundimtar në 2-1 për tiranasit. Ndeshja e parë e luajtur në Krujë kishte përfunduar 5-1 për Tiranën që kualifikohet kështu për në çerekfinale.

Flamurtari shkatërroi Tërbunin e Pukës me rezultatin e thellë 5-0. Tre golat e parë për vendasit shënohen nga Shehaj në të 36′, 40′ dhe të 58′. Morina shënon golin e katërt në të 70′ dhe vulos rezultatin Bregu në të 80′. Ndeshja e parë e luajtur në Pukë kishte përfunduar 1-0 për vlonjatët që kualifikohen kështu për në çerekfinale.

Në Durrës, Teuta mposht Kamzën me rezultatin 3-0. Golat u shënuan nga Lukiç në të 35′, E.Hoxha në të 67′ dhe Hodo në të 79′. Ndeshja e parë ishte fituar 1-0 nga Teuta që u kualifikua për në çerekfinale.

Në ndeshjet çerekfinale do të jenë këto përballje: Në Grupin A, Vllaznia – Skënderbeu/Sopoti dhe Laçi – Partizani ndërsa në Grupin B, Teuta – Kukësi dhe Flamurtari – Tirana.