KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ndjekje penale ndaj komedianit gjerman Jan Bymerman
kancelarja-merkel

Ndjekje penale ndaj komedianit gjerman Jan Bymerman

Gjermania do të lejojë hetimin dhe ndjekjen penale të komedianit Jan Bymerman, ndaj të cilit është ankuar qeveria turke pasi pretendohet se ai ka fyer presidentin turk Erdogan. Bymerman recitoi në një emision televiziv një poemë satirike me referenca seksuale për Erdogan. Sipas ligjit gjerman, duhej miratimi i qeverisë që të fillonte hetimi kriminal. Në një dalje për mediat, Kancelarja merkel theksoi se janë gjykatat ato të cilat kanë fjalën e fundit, dhe se tashmë është në dorën e prokurorëve për të ngritur akuza. “Në shtetin ligjor nuk është kompetencë e qeverisë, por e prokurorisë dhe e gjykatave, që të gjykojnë mbi të drejtën personale dhe të tjera shqetësimeve ne lidhje me lirinë e shtypit dhe të artit. Autorizimi i ndjekjes penale për një shkelje të posaçme si fyerja e organeve apo përfaqësuesve të shteteve të huaja nuk nënkupton as paragjykimin e të prekurit dhe as influencimin e vendimit mbi kufijtë e lirisë së artit, të shtypit dhe të shprehjes së mendimit, por që verifikimi ligjor i drejtësisë së pavarur nuk merr përgjigje nga qeveria dhe që fjalën e fundit e kanë prokuroritë dhe gjykatat”, u shpreh ajo. Merkel gjithashtu u shpreh se qeveria e saj do të përgatisë një projektligj për shfuqizimin e nenit 103 të kodit penal, që ka lidhje me fyerjet ndaj krerëve të shteteve.