KRYEFAQJA » LAJME » Ndotja e liqenit të Kukësit shqetësim për banorët

Ndotja e liqenit të Kukësit shqetësim për banorët

Ndotja e liqenit të Fierzës, kryesisht në territorin e Kukësit, gjithnjë e më shumë po bëhet një problem shqetësues. Ujërat e tij po humbasin qartësinë e tyre dhe vetë liqeni rrezikon të kthehet një vatër gjigande infeksioni. Veç ujrave të zeza të pa pafiltruara që derdhen në nga qytetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, liqeni dhe lumenjtë që e furnizojnë, gjithnjë e më shumë po sjellin mbeturina plastike.

Përfaqësues të bashkisë Kukës, të shqetësuar për gjendjen e krijuar, thonë se nuk ka fonde për këto operacione. Sekretari i përgjithshëm Bujar Muçmata, kujton se liqeni është pasuri nën administrimin e Ministrisë së Mjedisit.

Situata ka shqetësuar veç autoriteteve edhe banorët e zonës një pjesë e të cilëve sigurojnë jetën duke peshkuar në liqen.

Specialisti i mjedisit, biologu i kaskadave të Drinit, Arben Palushi, thotë se ndotjet plastike dhe të llojeve të tjera, që vijnë edhe nga përtej kufijve, mund të frenohen vetëm me masa konkrete dhe me një sensibilim të komunitetit të zonave.

Jo më shumë se dy vite më parë, ministritë e mjedisit të Shqipërisë dhe Kosovës firmosën një marrëveshje e cila kishte si qëllim ndërtimin e rrjetave të çelikut në deltat e lumenjve që furnizojnë liqenin. Por këto struktura ende nuk janë ndërtuar. I kontaktuar në telefon nga TVSH, Riza Hajdari, specialist i hapësirave ujore në Ministrinë e Mjedisit të Kosovës u shpreh se është në dijeni të marrëveshjes, por nuk ka informacion rreth zbatimit të saj. Ai tregoi se pala kosovare nuk ka ndonjë projekt urgjent për këtë situatë përveçse ngritjen e disa impianteve për menaxhimin e ujërave të zeza në Peje, Deçan, Gjakovë e Prizren.