KRYEFAQJA » LAJME » Ndotja nga makinat, ashpërsohet kontrolli
Ndotja e nga makinat, ashpërsohet kontrolli

Ndotja nga makinat, ashpërsohet kontrolli

Pas datës 1 korrik të këtij viti automjetet që janë prodhuar deri në vitin 2002, kryesisht automjetet me benzinë, rrezikojnë të mos kalojnë në pikat e kolaudimit. Shkak janë kërkesat e rritura ndaj tyre për të mbajtur të ulur nivelin e ndotjeve. Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës, i cili ka hyrë në fuqi më 16 mars të vitit të kaluar, nga data 1 korrik nis fazën e tretë dhe përfundimtare e zbatimit, ku do të aplikohet zbatimi rigoroz i normave të lejuara të elementeve ndotës nga gazrat e automjeteve në përputhje të plotë me direktivën evropiane. Sipas udhëzimit, asnjë automjet nuk do të mundet të kalojë me rezultat pozitiv kontrollin teknik të detyrueshëm në se ka nivelin e elementëve ndotës mbi vlerat limit të lejuar dhe të përcaktuar në direktivat e BE. Automjetet që nuk kalojnë kolaudimin për këtë shkak, nuk do të lejohet të qarkullojnë. Autoritetet e ministrisë thonë se zbatimi i kësaj direktive pritet të sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e ndotjes së ajrit, ku një nga burimet kryesore të ndotjes së tij është cilësuar transporti në rrugë.
Por drejtuesit e makinave kanë ngritur me këtë rast shqetësimin e cilësisë së karburanteve në tregun shqiptar. Sipas tyre krahas rritjes së kontrollit në pikat e kolaudimit të makinave, duhet të rritet edhe kontrolli i cilësisë së karburanteve, i cili është një shkak tjetër i ndotjes së mjedisit. Prej kohësh cilësia e karburanteve në Shqipëri është problematike dhe bashkë me të edhe çmimi i tyre. Drejtuesit e makinave ankohen se cilësia e ulët e karburanteve në Shqipëri ka ndikuar edhe në shpejtimin e amortizimit të mjeteve të tyre.