KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Ndryshime në qeverinë Rama
Ndryshime në qeverinë Rama

Ndryshime në qeverinë Rama

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur të mërkurën, ndryshime në kabinetin e tij. Sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit, ministri i deritanshëm i financave Shkëlqim Cani është liruar nga detyra dhe vendin e tij e ka zënë ministri aktual i Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj. Sipas njoftimit, zoti Rama i shprehu zotit Cani, falënderimet e tij për angazhimin, profesionalizmin dhe integritetin e plotë në kryerjen e njërës prej detyrave më të vështira qeverisëse të këtij mandati. Nga ana e tij zoti Çani falënderoi kryeministrin për besimin dhe bashkëpunimin e ngushtë në kapërcimin me sukses të situatës së rëndë financiare të trashëguar dy vjet e gjysëm më parë, si edhe e siguroi për vazhdimin me përkushtim të plotë të angazhimit të tij politik e profesional si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, bëhet e ditur në njoftimin e kryeministrisë.
Ndërkaq zonja Milva Ikonomi, deri tani zëvendësministre e shëndetësisë, do të zëvëndësojë zotin Ahmetaj, në detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Pak pas bërjes publike të ndryshimeve të fundit në qeveri, zoti Rama shkruajti në Fejsbuk se misioni bazë për dy ministrat e rinj është përshkallëzimi i operacionit kundër informalitetit dhe lehtësimi i mëtejshëm i biznesit të ndershëmi.
Ky është ndryshimi i katërt në kabinetitn Rama që kur ai u krijua afro dy vjet e gjysëm më parë. Fillimisht zonja Ermonela Felaj ka zëvendësuar zoti Ilirjan Çelibashi në postin e ministrit për marrëdhëniet me parlamentin. Më tej zoti Erion Veliaj u largua nga posti i Ministrit të Mirëqënies dhe Rinisë, për të kandiduar  për postin e kreut të Bashkisë së Tiranës, për t’u zëvenndësuar nga Bledi Kloidhe. Ndërsa pak muaj më parë zoti Ylli Manjani ka zëvendësuar zotin Nasip Naço në postin e ministrit të Drejtësisë. Pritet që presidenti Nishani të dekretojë këto ndryshime.