KRYEFAQJA » LAJME » NDRYSHIMET E LIGJIT TË MBETJEVE
ligji i mbetjeve, importi i plehrave, ndryshime, parlament

NDRYSHIMET E LIGJIT TË MBETJEVE

Deri në vitin 2010 në Shqipëri nuk ka pasur kufizim ligjor për importin e mbetjeve, përveç lëndëve të rrezikshme. Në vitin 2010 miratohet një VKM me numër 825 për miratimin e listave të mbetjeve që lejohen të importohen me qëllim riciklimi dhe përpunimi. Në 22 shtator të vitit 2011, miratohet Ligji Nr.10 463 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, që lejonte edhe impiante djegie për mbetjet. Më pas, në 6 mars 2012 ,VKM-ja me nr. 178 përcakton 25 zërat që lejohen të importohen për qëllime riciklimi. Ish-opozita e majtë e kohës kundërshtoi çdolloj importi të mbetjeve dhe e pati këtë çështje si një nga premtimet e saj kryesore elektorale. E sapo erdhi në pushtet në vitin 2013, vendimi i parë i qeverisë Rama do të ishte ndalimi i importit të mbetjeve. Por pas tre vitesh qeverisje, qeveria Rama rikthen sërish këtë ligj për miratim, por duke bërë në të 6 ndryshime si; ndalimi i importit të mbetjeve për djegie, ndalimi i mbetjeve të rrezikshme dhe lejimi vetëm i atyre të parrezikshme me qëllim ruajtje apo asgjësimi në territorin shqiptar, import vetëm për mbetjet e ngurta të listës së gjelbër si lëndë të para sekondare, (lista prej 25 rrymash, miratuar në vitin 2012 parashikohet të kufizohet edhe më tej, duke hequr përbërës të dëmshëm si plumbi). Hyrja e tyre është përcaktuar në jo më shumë se 3 pika doganore e gjobat për shkelësit e ligjit do të jenë nga 1.500.000 – 2 milionë lekë. Parashikohet që autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme, ndryshe nga më parë, t’u jepet vetëm subjekteve të licencuar për të plotësuar nevojat e industrisë ricikluese të vendit. E së fundi, me ligj parashikohet transparencë për gjithë këtë proces.