KRYEFAQJA » LAJME » Në Beograd protestohet kundër projektit të financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Në Beograd protestohet kundër projektit të financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Me mijëra serbë kanë protestuar mbrëmë në Beograd kundër shkatërrimeve në një zonë të njohur të qytetit e cila është përzgjedhur për një projekt të financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Protestuesit kanë kërkuar që kryetari i Bashkisë në Beograd, Sinisha Mali të dorëhiqet dhe ndëshkimin e atyre që vendosën të shkatërrojnë shtëpi gjatë një nate prilli. Shkatërrimet e 24 prillit në Savamala, zonën e artit dhe jetës së natës u kryen nga persona të panjohur me maska. Disa protestues kishin vendosur maska të ngjashme për të tallur shkatërruesit e objekteve në Savamala. Kryeministri Aleksandar Vuciç e ka quajtur protestën një cirk i organizuar nga partitë opozitare. Kryetari i Bashkisë së Beogradit, një aleat i Vuciçit, ka luajtur rol të rëndësishëm në marrëveshjen prej 3 miliardë dollarësh me investorët e Emirateve të Bashkuara Arabe për të ndërtuar objekte në stilin e Dubait, si dhe objekte banimi në zonën afër Lumit Sava. Kritikët thonë se projekti është i papërshtatshëm për Beogradin, ndërsa kanë dyshime edhe për korrupsion.