KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Në Francë vazhdojnë protestat e Sindikatës së Përgjithshme të Punëtorëve
france

Në Francë vazhdojnë protestat e Sindikatës së Përgjithshme të Punëtorëve

Sindikata e Përgjithshme e Punëtorëve në Francë, e cila është hedhur prej ditësh në protesta, po përgatitet për një betejë të gjatë. Anëtarët janë të vendosur në kërkesat e tyre dhe vazhdojnë të bllokojnë punën në disa rafineri dhe depozita nafte, duke krijuar vështirësi në furnizimin e qytetarëve me karburant. Në protesta, shumë prej pjesëmarrësve kanë marrë me vete edhe fëmijët. Policia u përpoq të thyejë bllokadën e protestuesve por pa sukses, ndërsa grevistët kërcënojnë se do të përshkallëzojnë betejën e tyre deri në bllokimin e punës në një central te energjisë bërthamore. Organizatorët thonë se nuk do ta lejojnë qeverinë të miratojë me forcë një ligj, duke mos respektuar parimet e demokracisë. Ata e krahasojnë këtë betejë me ate të para 6 viteve lidhur me moshën e pensionit. Nga ana tjetër, qeveria franceze këmbëngul se do t’i qëndrojë besnike variantit të saj në lidhje me reformën e punësimit. Reforma ligjore që kërkon të ndërmarrë kabineti qeveritar i jep të drejtë punëdhënësit të pranojë dhe të shkarkojë më lehtë punëtorët. Qeveria thotë se kjo lehtëson punëdhënësit dhe do të ulë numrin e të papunëve, por sipas Sindikatës së Punëtorëve, ligji nuk ofron mbrojtje për punëtorët.