KRYEFAQJA » LAJME » Në Maqedoni, opozita bojkoton Parlamentin
maq

Në Maqedoni, opozita bojkoton Parlamentin

Në Maqedoni opozita e drejtuar nga Lidhja Social Demokrate ka njoftuar se pezullon pjesëmarrjen në punimet e parlamentit përderisa Gjykata Kushtetuese nuk merr një qëndrim në lidhje me kushtetutshmërinë e ligjit për Prokurorinë e Posaçme. Kjo procedurë po zgjat prej tetë muajsh, që nga opozita shikohet si mbajtje në robëri e drejtësisë. Vendimi i opozitës pasoi një fjalim të presidentit Gjorgje Ivanov, i cili, mes tjerash, hodhi kritika të ashpra ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke e quajtur atë një organ që vepron në bazë të kërkesave të LSDM-së. Ndërkaq, opozita vlerëson se pushteti po përgatit terrenin për shfuqizimin e ligjit për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme për të ndaluar në këtë mënyrë një sërë procedurash që kjo prokurori ka ngritur ndaj një numri personalitetesh, përfshirë drejtues të VMRO-DPMNE-së, partisë më të madhe në pushtet, në lidhje me dyshime për përfshirje në vepra penale. Opozita maqedonase, nga ana tjetër shprehet e gatshme për zgjedhje të parakohshme që do të mbaheshin më 6 nëntor, por së pari kërkon krijimin e kushteve si: sundimi i ligjit, reforma në media, formimin e një qeverie e cila do të organizonte zgjedhje të lira, demokratike e të besueshme.