KRYEFAQJA » LAJME » Në Maqedoni rifillojnë bisedimet mes partive për daljen nga kriza
macedonia

Në Maqedoni rifillojnë bisedimet mes partive për daljen nga kriza

Grupet e punës të katër partive kryesore në Maqedoni kanë zhvilluar gjatë fundjavës konsultime brenda subjekteve të tyre rreth propozimeve të shtruara në bisedimet për çështjet e hapura nga Marrëveshja e Përzhinës. Përpjekjet për zgjidhjen e krizës duhet të fillojnë nga sot, por edhe krahas optimizmit të shfaqur nga diplomatët e huaj, mbetet ende e paqartë nëse marrëveshja do të arrihet së shpejti. E gjithë vëmendja tashmë është përqendruar tek kompetencat që do të ketë ministri i Brendshëm në qeverinë kalimtare, e cila do të organizojë zgjedhjet e parakohshme. Opozita po kërkon që ministrit të Brendshëm t’i kthehen kompetencat që ia shkurtoi mazhoranca ditë më parë përmes ndryshimeve ligjore. Nga ana tjetër VMRO-ja ka pranuar që të tërheqë ligjin e ri për Ministrinë e Punëve të Brendshme vetëm nëse LSDM-ja jep garanci me shkrim se nuk do të bëjë ndryshime drastike pasi të marrë në drejtim policinë. Nëse palët nuk arrijnë të bien dakord rreth kësaj çështje, opozita maqedonase ka kërcënuar se mund të dështojnë edhe marrëveshjet për pikat e tjera. Jo zyrtarisht mësohet se tashmë është arritur pajtimi që qeveria kalimtare të ketë mandat 100-ditor. Po ashtu, palët kanë afruar dallimet edhe për reformat në media dhe pastrimin e listës zgjedhore.