KRYEFAQJA » LAJME » Në Paris mbahet Samiti i Ballkanit
Në Paris mbahet Samiti i Ballkanit

Në Paris mbahet Samiti i Ballkanit

Të hënën mbahet në Paris Samiti i Ballkanit, me pjesëmarrjen e kryeministrave dhe ministrave të jashtëm të vendeve të rajonit. Takimi do të mbahet në Pallatin Elize dhe do të drejtohet nga presidenti francez Fransua Holond, kurse ministi i jashtem i Francës Zhan Mark Ajro dhe ai i çështjeve evropiane Harlem Dezir, do të takohen me homologët e tyre nga Ballkani. Në takimin e rëndësishëm marrin pjesë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bosnja, Mali i Si dhe Serbia, kurse pjesëmarrës të procesit janë edhe 5 vende evropiane, Gjermania, Austria, Italia, Kroacia dhe Sllovenia. Tre do të jenë temat kryesore të samitit: lufta kundër terrorizmit, çështja e refugjatëve dhe integrimi evropian i rajonit. Në rend të ditës do të jetë edhe bashkëpunimi ekonomik, energjia dhe transporti.
Në kuadër të samitit, do të mbahet edhe një takim me shoqërinë civile me pjesemarrjen e 150 të rinjve nga vendet e Ballkanit. Ndërkaq pritet të nënshkruhet marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, nismë kjo e përbashkët mes kryeministrit të Shqipërisë Rama dhe atij të Serbisë Vuçiç. Zyra do ta ketë selinë në Tiranë dhe Komisioni Europian do të akordojë një milion euro.
I pranishëm në këtë samit, Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn pritet të zhvillojë një takim me 6 ministrat e Jashtëm të rajonit, ku ndër të tjera do të diskutojë edhe veprimet konkrete të ndërmarra për zgjerimin e Bashkimit Europian.
Duke u ndalur tek investimet, pritet që në Paris të miratohen 3 projekte, ndër të cilat ai për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit Tiranë-Rinas, me një vlerë prej 81 milionë euro.