KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Në prag të lojrave Olimpike, rindërtohet qendra e qytetit të Rio de Zhaneiros

Në prag të lojrave Olimpike, rindërtohet qendra e qytetit të Rio de Zhaneiros

Një zonë e re në qendër të qytetit të Rio de Zhaneiros po ndërtohet para fillimit të lojrave olimpike të kësaj vere. Ndërtimi i saj ka për qëllim të shfaqë kulturën, të përmirësojë pamjen dhe atmosferën në këtë qytet olimpik. Pas prishjes së një mbikalimi, qyteti i Rio de Zhaneiros ka ndërtuar një qendër të re që ka në fokus kulturën dhe pamjen e bukur përgjatë gjirit Guanabara. Në kohë për lojrat Olimpike të kësaj vere, qyteti i Rios përuroi zonën e re në një pjesë të gjirit. Sheshi Mauá më parë ishte fshehur nga një mbikalim që ishte hyrja kryesore në qytet dhe në plazhet e tij. Në këtë pjesë të portit kishte vinça të vjetër që nuk funksononin të cilët tani shërbejnë si objekte dekorativë. Megjithatë, këtu do të vazhdojë ankorimi i anijeve edhe gjatë Lojrave Olimpike. Struktura më e spikatur është e ashtuquajtura “Muzeu i së Nesërmes”, një ndërtesë futuristike e arkitektit spanjoll Santiago Kalatrava, që u inagurua dhjetorin e kaluar në një skelë që përdorej për ankorimin e anijeve. Rreth ndërtesës ka pamje të veçantë të mjedisit detar të Gjirit Guanabara që më parë nuk ishin të disponueshme për publikun. Kjo rrugë këmbësorësh me një gjatësi prej 3.5 kilometrash ka marrë emrin e një ish-kryetari bashkie, i cili e kishte konceptuar idenë për rindërtimin e kësaj pjese të qytetit pranë gjirit Guanabara. Gjatë Lojërave të ardhshme Olimpike sheshi Mauá dhe zona përreth tij do të pajisen me ekrane të mëdha ku publiku mund të ndjekë lojërat.