KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Në propozimin e ri, PD ka kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara
Në propozimin e ri, Partia Demokratike ka kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara

Rama: Në propozimin e ri, PD ka kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara

Kryeministri socialist Edi Rama ka deklaruar se nuk ka asgjë të re në propozimin e PD, për ti dhënë fund mosmarrëveshjeve për të miratuar Reformën në Drejtësi. Një ditë pas propozimit të bërë nga kreu i PD Lulzim Basha, zoti Rama shprehet në një reagim në rrjetin social Fejsbuk, se “..ne jemi gati për çdo kompromis që nuk deformon thelbin e Reformës në Drejtësi. Por s’mund të pranojmë deformimin konsensual të thelbit të saj, që është garantimi i një procesi rigorozisht profesional e të pavarur nga partitë, për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të komisionit të vetingut të prokurorëve e gjykatësve”. Duke përsëritur se “Pa vetingun … kjo reformë s’ka asnjë vlerë”, zoti Rama shprehet lidhur me propozimin e opozitës, se “… me një veting të bërë nga të zgjedhurit e partive e pa pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të këtij komisioni, përsëri kjo reformë s’ka asnjë vlerë”. Sipas liderit socialist “Kjo s’është vetëm bindja jonë, por një vijë e kuqe që nuk e ka pikturuar peneli im, po e ka vënë Brukseli dhe Uashingtoni. Dhe është e habitshme që Partia Demokratike vazhdon merret me gishtin, kur gishti tregon hënën! Sepse kështu i bie që jo vetëm unë, po edhe Brukseli e Uashingtoni, nuk e duan reformën..” shkruan zoti Rama …”Në propozimin e ri, Partia Demokratike ka kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara(!) dhe jo vetëm kaq, po ky propozim anashkalon krejtësisht mekanizmin e monitoruesve ndërkombëtarë, që për ne është kyç në procesin e skanimit” vlerëson zoti Rama propozimin e opozitës. “Ose këtë reformë historike në drejtësi e do vetëm Partia Demokratike dhe gjithë ne të tjerët, së bashku me Bashkimin Europian e Shtetet e Bashkuara, po e sabotojmë reformën sepse kemi frikë prej saj, ose pastaj një frikë e madhe nuk e lë Partinë Demokratike të bashkohet me shumicën e me aleatët strategjikë të Shqipërisë, për të votuar reformën dhe për t’i hapur rrugë një epoke të re për drejtësinë në shtetin tonë” përfundon reagimin e tij kryeministri socialist Edi Rama.