KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Në Tiranë mbahet forumi ekonomik shqiptaro-gjerman
Në Tiranë mbahet forumi ekonomik shqiptaro-gjerman

Në Tiranë mbahet forumi ekonomik shqiptaro-gjerman

Marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, janë në fokusin e Forumit Ekonomik që po mbahet në Tiranë. Kryeministri Edi Rama ka shprehur kënaqësinë që marrëdhëniet diplomatike dhe më tej ato tregëtare mes dy vendeve kanë avancuar ndjeshëm. “Ardhja në Shqipëri e kancelares Merkel dhe ministrit të Jashtëm Steinmeier tregojnë rëndësinë që Gjermania i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë dhe jo vetëm anasjelltas” tha zoti Rama. Ai kujtoi se “Gjermania është angazhuar në një proces historik për rajonin”. “Samiti i Berlinit, që nisi me iniciativë të kancelares Merkel, mundësoi që për herë të parë liderët e rajonit të ulen në një tryezë jo për një sherr për të shkuarën, por për të diskutuar për të ardhmen e përbashkët, rrugët e përbashkëta të zhvillimit, gazsjellësit, korridoret e energjitikës, infrastrukturën dhe pa dyshim për shkëmbimet e reja mes të rinjve” tha zoti Rama. Duke ju referuar historisë së marrëdhënieve franko-gjermane, të njohura dikur si mjaftë problematike, zoti Rama tha se “ajo që bënë Gjermania dhe Franca për Europën mund të shërbejë si shembull që “rajoni ynë të mos jetë më një fuçi baruti, por një rajon i harmonisë etnike dhe fetare”. “Linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë dhe Shqipëri-Maqedoni janë provë se Gjermania është vendi që lidh fjalën me veprën” tha kryeministri shqiptar.
I ftuar në forum ish kancelari gjerman Gerhard Shrëder, bëri thirrje për hartimi dhe zbatimin e reformave në vend, ndërsa tha se ecuria e tyre së fundi vlerësohet në Bruksel. Ai shprehu kënaqësinë për “ vijimësi në marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë”. Zoti Shrëder tha se “Shqipëria ka nevojë për investime private, ndaj është me rëndësi krijimi i kushteve”. duke prekur temën e menaxhimit të mbetjeve urbane, ndër më të nxehtat e ditëve të fundit ish kancelari gjerman tha se  “Gjermania është e angazhuar edhe për menaxhimin e çështjes së mbetjeve urbane dhe energjisë”.
Në konteksin e zhvillimeve ballkanike zoti Shrëder foli veçmas për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, duke çmuar kontributin e kryeministrave Rama dhe Vuçiç, në takimet e shpeshta mes tyre.