KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Në Venezuelë, vendin me rezervat më të mëdha të naftës në botë, qytetarët ushqehen nëpër kazanët e plehrave

Në Venezuelë, vendin me rezervat më të mëdha të naftës në botë, qytetarët ushqehen nëpër kazanët e plehrave

Venezuela po përjeton një prej momenteve më të këqija në historinë e saj. Inflacioni po rritet me shpejtësi, energjia ungon rregullisht dhe njerëzit janë të uritur. Ish-klasa e mesme, të cilët përbënin shumicën e popullsisë së Venezuelës, tani gërmojnë në kontenierë në rrugët e Karakasit, duke kërkuar mes frutave të kalbura dhe mbeturinave, me shpresa për të gjetur ushqim të ngrënshëm. Tre vakte në ditë janë dukuri gjithnjë e më e rrallë në vendin e shkatërruar ekonomikisht, dhe të vetmit që kanë një lloj mundësie për të blerë ushqime, janë banorët e rajoneve kufitare, të cilët i marrin ushqimet nga Kolumbia fqinje. Venezuela është vendi me rezervat më të mëdha të naftës në botë. Presidenti i ndjerë Hugo Chavez, kishte vendosur një bazë të shëndoshë të shtetit, duke u krijuar njerëzve një jetë të mirë. Por pas vdekjes së tij në vitin 2013, në krye të shtetit erdhi truproja i tij Nicolas Maduro, i cili ka tentuar të vazhdojë me politikën e kryer nga “El Presidente”. Rënia e çmimit të naftës, nga e cila varet e gjithë ekonomia e Venezuelës, ka dëmtuar themelet e Chavez. Me gërshetim të faktorëve të ndryshëm të cilët kanë për qëllim ndryshimin e pushtetit në Venezuelë, por edhe për shkak të jetesës së vështirë, situata në Venezuelë është shndërruar në kaos, dhe qytetarët gjithnjë e më të dëshpëruar, po kërkojnë shkarkimin e Maduras dhe ardhjen e “opozitës demokratike” në udhëheqjen e vendit.