KRYEFAQJA » LAJME » Negociatat, Hungaria avokate e Shqipërisë

Negociatat, Hungaria avokate e Shqipërisë

Shqipëria mund të marrë një datë në dhjetor për çeljen e negociatave. Duke e shprehur këtë si ambicie nga ana e Shqipërisë ministri i jashtëm Ditmir Bushati dhe si mbështetje nga ana e Hungarisë, homologu i tij hungarez Péter Szijjártó, kanë bërë të ditur si lobimin ashtu dhe pergatitjet. “Besoj se rruga jonë deri në dhjetor është e qartë. Besoj do te marrim nje date” u shpreh zoti Bushati. Nga ana e tij ministri i jashtëm hungarez tha se “Hungaria do të vijojë të punojë fuqimisht në mbështetje të çeljes së negociatave të anëtarësimit sa më shpejt të jetë e mundur, pasi ecuria europiane e Shqipërisë është në interes jo vetëm për Shqipërinë, rajonit, por edhe vetë Unionit. Ne jemi duke pritur për një vendim pas rekomandimit pozitiv nga ana e Këshillit për çeljen e negociatave. Ne shpresojmë që të kemi një datë në dhjetor për Shqipërinë” tha zoti Péter Szijjártó.
Ministri Bushati nga ana e tij ka përdorur terma përfshirës edhe për procesin e vetingut, që pritet të paraqitet në BE. “Duhet të presim opinionin e Komisionit të Venecias, i cili ka qenë aktor në këtë proces, i pranuar nga mazhoranca dhe opozita dhe më pas vendimin e Gjykatës Kushtetuese” tha zoti Bushati.”Ne besojmë tek procesi i Vettingut, jo si një masë ndëshkimore ndaj dikujt, apo ndaj disa njerëzve që mund të kenë shkelur ligjin dhe janë pjesë sot për sot e trupës gjyqësore” tha ndër të tjera zoti Bushati.
Pika ku pala shqiptare shpreson të kalojë pragun e një vendimi që mund të japë një datë për çeljen e negociatave, është pranimi nga pala europianë që zbatimi të bëhet njëkohësisht me kapitujt 23-24. “Për ne është i rëndësishëm që zbatimi i reformës në drejtësi të vendosen në një kuadër konceptual që buron nga detyrimet që vijnë nga kapitujt 23 dhe 24, që janë kapitujt e parë me të cilët Shqipëria do të përballet në tryezën e bisedimeve për anëtarësim” tha ministri i jashtëm shqiptar.
Ministri i jashtëm hungarez nga ana e tij e sheh si sfide dhe kapercimin e aktorëve që janë kundër zgjerimit duke kujtuar precedentin Junker, i cili sipas tij, ka folur në fillim pa qene i autorizuar nga vendet anëtare. Pavarësisht ecurisë së dhjetorit, Hungaria, do të ketë që nga 1 shkurti një diplomat pranë MPJ për të ndihmuar në procedurat parapërgatitore për çeljen e negociatave të anëtaresimit në BE.
Në takimin me kreun e opozitës Lulzim Basha, ministri i jashtëm hungarez Péter Szijjártó kërkoi bashkëpunim mes shumicës dhe pakicës. “Si qeveria dhe opozita duhet të jenë bashkë në proçesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe të marrin përgjegjësinë për vijimin e rrugës së reformave. Ju uroj shumë sukses edhe mazhorancës dhe opozitës në këtë proçes” i tha ai zotit Basha. Ky i fundit ka parë si rrugë të sigurtë për përshpejtimin në integrimit në BE atë që e quajti betejë për zgjedhje të lira e të ndershme. “E sigurova që PD dhe opozita do vazhdojë me të gjitha format betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kundër krimit në politike, zbatimin e ligjit kundër dekriminalizimit, luftën kundër drogës dhe padyshim zbatimin e pesë kritereve, jo vetëm si rruga me e sigurtë për të përshpejtuar integrimin Evropian të Shqipërisë, por edhe si interesi esencial për Shqipërine, shqiptarët dhe bashkëpunimin tonë bilateral dhe me Bashkimin  Europian në tërësi” tha zoti Basha.