KRYEFAQJA » LAJME » Nën moton “Dashuria jonë është kushtetuese”, LGBT marshon në Prishtinë

Nën moton “Dashuria jonë është kushtetuese”, LGBT marshon në Prishtinë

Në Prishtinë sot është mbajtur një marshim i komunitetit LGBT me moton “Dashuria jonë është kushtetuese”. Marshit i janë bashkuar presidenti Hashim Thaçi, ambasadorë të akredituar në Kosovë si dhe eurodeputetja Ulrike Lunaçek. “Në Kosovë secili mund të dashurojë secilin. Kosova me kushtetutë u jep të drejtë të gjithëve të kenë jetën e tyre. Çdo qytetar i vendit ka të drejtat e veta dhe këto të drejta ata duhet t’i shfrytëzojnë”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se Kosova është evropiane dhe të gjitha të drejtat e çdo komuniteti janë të garantuara. Ndërkaq eurodeputetja Ulrike Lunaçek, e cila po qëndron në Kosovë në kuadër të vizitës së një delegacioni nga Parlamenti Evropian, ka thënë se priste që të kishte edhe më shumë njerëz në këtë organizim për të mbështetur këtë komunitet. Mbështetje realizimit të drejtave të komunitetit LGBT i kanë dhënë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, si dhe ai britanik, Ruairi O’Connell. Ky marsh u organizua në ditën kundër homofobisë. Raportet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë vënë në pah se sikundër në shumë vende tjera, edhe në Kosovë komuniteti LGBT vazhdon të jetë i stigmatizuar.