KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Nënë Tereza bëhet e shenjtë nga Papa Françesku
Nënë Tereza bëhet e shenjtë nga Papa Françesku

Nënë Tereza bëhet e shenjtë nga Papa Françesku

Papa Françesku tha formulën e kanonizimit dhe vendosjen në listën e Shenjtërve të Nënë Terezës nga Kalkuta, që lindi me emrin Gonxhe Anjeze Bojaxhiu (1910-1997). Papa Bergoglio lexoi formulën në latinisht dhe menjëherë shpërtheu duartrokitja nga ana e besimtarëve. Menjëherë në altar u vendosën reliket e shenjtes së re, që më pas u kemuan.

“Nënë Tereza ka qënë gjithë jetën e saj dhuruese e mëshirës hyjnore, duke e mbrojtur jetën e njeriut atë të pa lindur dhe atë të braktisur dhe atë të hedhur tutje. Mëshira qe për të kripa që i jepte shije çdo vepre të saj, dhe drita që u qartësonte errësirën atyre që nuk kishin më as lot për të qarë varfërinë dhe vuajtjen e tyre”, tha Papa Françesku.

Shenjtërimi qe një çast shumë i fortë dhe prekës për mijëra besimtarë në Sheshin Shën Pjetri në Vatikan. Shumë besimtarë që vinin nga vende të ndryshme të Italisë, por edhe Shqipërisë, Kosovës, Indisë, Spanjës Polonisë dhe nga shumë vende të tjera të botës. Shumë flamunj valëviten me pamjen e Nënë Terezës në një sfond të kaltër, ngjyrë me të cilën është e rrethuar veshja e Misionareve të Bamirsisë që Nënë Tereza e kishte themeluar në Indi.