KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Nënë Tereza, rrugëtimi i një shenjte
EPA/FILIPPO MONTEFORTE
EPA/FILIPPO MONTEFORTE

Nënë Tereza, rrugëtimi i një shenjte

“Ajo kishte shumë dhunti, nëse flasim nga pikpamja njerëzore. Ishte inteligjente, shumë praktike, mësuese e lindur, organizatore, këndonte, kishte zë të mrekullueshëm; u binte instrumenteve, shkruante poezi. Kishte shumë dhunti”.

Atë Brajan Kolodiejchuk postulatori i çështjes së shenjtërimit nënvizonte aspektin njerëzor të së përditshmes se Nënë Terezës në një intervistë për Radio Vatikanin.

Nënë Tereza ose Gonxhe Bojaxhiu sot është shenjte, një nga poetet më të njohura në botë po ashtu e cilësuar si Nëna e Mëshires apo “Lapsi në duart e Zotit” prirjen për artet e kishte të rrënjosur nga familja nga i ati i saj Kole Bojaxhiu i cili përveçse ishte një tregtar i lindur, ndërtoi teatrin e parë në Shkup. Në fëmijëri Gonxhe Bojaxhiu u rrit me ndjenjen e së bukures dhe përjetimin e mëshires të rrënjosur nga nëna e saj sidomos pas vdekjes tragjike të babait kur Gonxhja ishte vetëm 8 vjeç. Dranja, një grua e fortë, i rriti fëmijët plot dashuri, duke ndikuar shumë në karakterin dhe rrugën e jetës që do të zgjidhte e bija. Më pas formimi fetar i Gonxhes u thellua në famullinë Zemrës së Krishtit, nën drejtimin e jezuitëve, në sa merrte pjesë gjallërisht ndër të gjitha veprimtaritë.

Në moshën 18 vjeçare, e shtyrë nga dëshira për t’u bërë misionare, në shtator të vitit 1928, Gonxhja i tha lamtumirë shtëpisë atërore, për të hyrë në Institutin e së Lumes Zojë, në Irlandë. Atje mori emrin motër Mari Tereza, për nder të Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Në dhjetor u nis për në Indi. Vazhdoi të jepte mësim në St. Mary dhe më 1944 u emërua drejtoreshë e shkollës. Grua që ia kishte kushtuar jetën lutjes, që i donte fort motrat dhe nxënëset e saj, Nënë Tereza jetoi e lumtur në Loreto për njëzet vjet me radhë.

Më 10 dhjetor të 1946-ës, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta në Darjeeling, për ushtrimet shpirtërore vjetore, Nënë Tereza ndjeu “frymëzimin” e ri, “thirrjen brenda thirrjes”. Në javët dhe muajt e mëpasëm, ajo nisi të dëgjonte një zë që i fliste shpirtit të saj e të shihte vegime. Jezusi i kërkoi Nënë Terezës të themelonte një bashkësi rregulltare, Misionaret e Bamirësisë, që do t’i kushtoheshin shërbimit ndaj më të varfërve ndërmjet të varfërve. Më 17 gusht të 1948-ës, veshi për herë të parë sarin e bardhë me anët blu dhe la pas shpine kangjellat e kuvendit të Loretos, të cilin e donte aq shumë, për të hyrë në botën e të varfërve.

Më 21 dhjetor shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve.

Më 7 tetor të vitit 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë. Në muajt e parë të vitit 1960, Nënë Tereza filloi t’i dërgonte motrat e saj në të katër anët e Indisë. E duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën.

Gjatë këtyre viteve, ndërsa misioni i saj përhapej me të shpejtë, bota filloi t’ia ngulte sytë Nënë Terezës dhe veprës që ajo kishte nisur. Meritoi shumë çmime për veprën e saj, duke filluar nga Çmimi indian Padmashri, në vitin 1962, për të vijuar me Çmimin e rëndësishëm Nobel për Paqen, më 1979, ndërsa mjetet e komunikimit filluan t’i ndiqnin veprimtaritë e saj me interes gjithnjë e më të madh. Si çmimet, ashtu edhe gjithçka që e vinte në qëndër të vëmendjes, i pranoi “për lavdinë e Zotit e në emër të të varfërve”.

Gjatë viteve të fundit të jetës, pa marrë parasysh problemet e shumta e serioze shëndetësore, Nënë Tereza vijoi t’i printe Kongregatës së saj dhe t’u përgjigjej nevojave të të varfërve e të Kishës. Sot Kongregata 4000 motra, të pranishme në 730 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës. Më 5 shtator 1997 jeta tokësore e Nënë Terezës arriti cakun e fundit.

Më pak se dy vjet pas vdekjes, për shkak të përhapjes së famës së shenjtërisë dhe hireve të nxjerra me ndërmjetësinë e saj, Papa Gjon Pali II lejoi të hapej çështja e shenjtërimit. Nënë Tereza u lumnua më 19 tetor 2003, e diela XXIX gjatë vitit kishtar, Dita Misionare Botërore.

Më 17.12. 2015, Papa Françesku njohu mrekullinë dhe nënshkroi dekretin për shenjtërimin e Nënë Terezës, duke njohur mrekullinë e kryer me ndërmjetësimin e saj, shërimin e një besimtari brazilian të sëmurë me tumor në tru.

Më 4 qershor 2016 u caktua edhe data e shenjtërimit:e diela e 4 shtatorit 2016, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan.