KRYEFAQJA » LAJME » Nënë Tereza shenjtërohet më 4 shtator

Nënë Tereza shenjtërohet më 4 shtator

Nënë Tereza do të shenjtërohet më 4 shtator 2016. Papa Françesku ka firmosur sot dekretin e shenjtërimit të Nënë Terezes, event që do të mbahet në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Ndryshe nga sa kishte kërkuar Kisha Katolike Indiane, ceremonia e Shenjtërimit të Nënë Terezës do të jetë eventi kryesor i Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan. Data 4 shtator do të shënohet në Kalenderin Apostol si Dita e Shenjtores shqiptare Nënë Tereza e Kalkutës. 17 dhjetorin e kaluar Papa Françesku firmosi dekretin për njohjen e mrekullisë së kryer nga Nënë Tereza në shërimin e plotë nga një tumor në tru, në gjendje mjaft të avancuar, të një besimtari në San Paolo të Brazilit. Nënë Tereza, emri I vërtetë I së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, ka lindur nga prindër shqiptarë në vitin 1910 në Maqedoni në atë kohë pjesë e Perandorisë Osmane. Ajo themeloi Misionarët e Bamirësisë me rreth 20 murgesha në vitin 1950 për të ndihmuar të varfërit në rrugët e Kalkutës dhe urdhëri i saj fetar u përhap në të gjithë botën. Nënë Tereza fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, duke u bërë edhe shqiptarja e parë me këtë çmim.