KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Nevada: Sot debati i fundit presidencial
Nevada: Sot debati i fundit presidencial

Nevada: Sot debati i fundit presidencial

Në prag të debatit të tretë dhe të fundit presidencial, që mbahet sot në mbrëmje në Las Vegas, demokratja Hillary Clinton vazhdon të ketë përparësi në sondazhe dhe rivalit të saj do t’i duhet të luftojë fort për të mbajtur gjallë shpresën për Shtëpinë e Bardhë. Në sondazhet e fundit, manjati i pasurive të paluajtshme paraqitet me 7 pikë përqindjeje më pak se ish-Sekretarja amerikane e Shtetit. Kandidati republikan vazhdon të paralajmërojë përkrahësit se po luftojnë kundër aparatit të manipuluar politik të Clintonëve dhe kundër një shtypi të politizuar. Miliarderi është hedhur në kundërsulm pas akuzave të disa grave për sjellje të papërshtatshme me sfond seksual në të kaluarën. Pretendimet, Trump i quan gënjeshtra të përhapura nga media dhe fushata e Clintonit. Nga ana e saj, demokratja po përgatitet prej ditësh për debatin. Megjithë polemikat për çështjen e “e-mail”-eve, ajo është përpjekur ta përqëndrojë fushatën te propozimet politike. Ekonomia duhet  t’i shërbejë mirëqenies së të gjithëve, jo vetëm të më të pasurve”, është shprehur ajo. Clinton ka gjetur mbështetje të fortë te presidenti Barack Obama dhe Zonja e Parë Michelle, e cila gjatë një fjalimi dënoi ashpër komentet vulgare të Trumpit për gratë. Zhvillimet e fundit po i kushtojnë shtrenjtë biznesmenit njujorkez dhe po përkthehen në humbje të mbështetjes, veçanërisht të grave. Dy kandidatët do të paraqiten me stile të ndryshme në debatin e fundit. Clinton do të tregohet e kujdesshme për të mos humbur epërsinë që ka, ndërsa Trumpi do të përdorë çdo mjet, pasi beson se kjo është mundësia e fundit për të ngushtuar hendekun. Dueli i fundit televiziv mes pretendenteve për Shtëpinë e Bardhë, që do të mbahet në Universitetin e Nevadës, pritet të ndiqet nga një numër rekord prej 80 milionë teleshikuesish. Në javët e fundit të fushatës, dy kandidatët do të përqëndrohen në një numër shtetesh të pavendosura, që do të jenë vendimtare në rezultatin e zgjedhjeve.