KRYEFAQJA » LAJME » Ngjarjet e Liqenit Artificial, prokuroria nis hetimet
Ngjarjet e Liqenit Artificial, prokuroria nis hetimet

Ngjarjet e Liqenit Artificial, prokuroria nis hetimet

Një javë pasi PD dhe Policia e Tiranës, bënë kallzime reciproke rreth ngjarjeve tek Parku i Liqenit, ku më 28 mars të ketij viti, palët u përplasën forcërisht gjatë një proteste të opozitës kundër ndërtimit të një këndi lojrash për fëmijë nga Bashkia e Tiranës, prokuroria njoftoi se ka nisur proçedimin penal. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme bëhet fjalë për veprat penale të ”Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetësore apo një shërbim publik” dhe ”Organizimi dhe pjesmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Prokuroria e Përgjithshme njofton gjithashtu se po kryen hetime në ngarkim të deputetit të PD Gent Strazimiri edhe për ekzistencën e dyshimeve për kryerjen e veprës penale: ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Emri i tij është shënuar në Regjistrin e Proçedimeve Penale të Prokurorisë së Përgjithshme në bazë të akteve paraprake të dorëzuara nga ana e Policisë Gjyqësore. Në njoftimin e prokurorisë veçohet deklarimi i një shtetasi, i paraqitur si ish-përfaqësues i një firme prodhimi armësh në Gjermani. Sipas tij, kompania që përfaqësonte, i ka dhuruar disa vite më parë një sasi armësh Ministrisë së Brendshme, një prej të cilave personi në fjalë pretendon se është në posedim të deputetit të PD Gent Strazimiri dhe ekspozuar prej tij në ngjarjen e 28 marsit të këtij viti në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë.
Prokuroria njofton se po vijon hetimet për persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si edhe për ligjshmërinë e projektit të ndërtimit të këndit të lojërave në zonën e Liqenit Artificial, në bazë të kallëzimit të dorëzuar nga përfaqësues të Shoqërisë Civile.