KRYEFAQJA » LAJME » Nikolla: 2.2 milionë euro për tekste falas
Nikolla: 2.2 milionë euro për tekste falas

Nikolla: 2.2 milionë euro për tekste falas

Në prag të fillimit të vitit të ri arsimor qeveria shqiptare ka krijuar një fond prej 2.2 milionë euro për të mbështetur me tekste falas edhe më shumë kategori familjesh shqiptare. Lajmi është bërë i ditur nga  Ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave. “Konkretisht, një familje me tre fëmijë do të përfitonte falas libra shkollorë për fëmijën e tretë në radhën e shkollimit, sikundër çdo familje shqiptare me katër fëmijë do të përfitonte librat falas për fëmijën e tretë, të katërt e kështu me radhë” tha zonja Nikolla. Prej këtij fondi përfitojnë edhe fëmijët e komunitetit egjiptian, të cilët njësoj si fëmijët e komunitetit rom do të kenë mundësi të marrin libra falas për të gjithë kohëzgjatjen e arsimimit të tyre, në arsimin bazë. Vendimi parashikon që të gjithë ata fëmijë që konsiderohen viktima të trafikimit apo viktima të mundshme të trafikimit, përfitojnë gjithashtu tekste shkollorë falas. Tekste shkollore falas do të përfitojnë edhe ata fëmijë që vijnë nga familje ku ka një person me aftësi të kufizuar apo ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti. “Jemi treguar po ashtu të kujdesshëm dhe solidarë me fëmijët e të gjithë punonjësve të policisë të vrarë në krye të detyrës dhe në shërbim të komunitetit, në mënyrë që krahas bursës së studimit ato të përfitojnë falas edhe tekstet shkollore për gjithë periudhën e tyre të shkollimit në arsimin bazë” tha më tej ministrja Nikolla duke nënvizuar se vendimi i fundit është “Tjetër premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare në fushën e arsimit”.