KRYEFAQJA » LAJME » Nikolla uron fillimin e vitit të ri shkollor
Nikolla uron fillimin e vitit të ri shkollor

Nikolla uron fillimin e vitit të ri shkollor

Në vigjlje të vitit të ri shkollor 2016-2017, ministrja e arsimit dhe e sporteve Lindita Nikolla, ka uruar nxënësit dhe mësuesit për një vit sa më të suksesshëm. Zonja Nikolla ka uruar veçanërisht 27 mijë vogëlushë që të martën nisin rrugëtimin e vështirë të dijes.  Këtë vit shkollor parashikohet ta ndjekin 392 mijë nxënës  dhe 30 mijë mësues e edukatorë. Zonja Nikolla në urimin e saj veçon se nxënësit e që nisin klasën e dhjetë do të kenë mundësi të  shkollohen me një programi të ri që ministrja e quan “kurrikula e gjeneratës tjetër”. Ajo lehtëson ngarkesën nga 18 në 13 lëndë mësimore, promovon gjuhën shqipe dhe vendos lidhjen e munguar mes gjimnazit dhe arsimit të lartë. Me prioritet, tha ministrja Nikolla, do të shihen fëmijët me nevoja të veçanta dhe mësuesit që japin mësim në shkollat në zonat e thella rurale. Fillimi i vitit të ri shkollor nis mes debatesh dhe pakënaqësish për paisjen në kohë me tekse shkollore. Shqetësim vazhdon të mbetet edhe numri i madh nxënësve në klasa. Qeveria thotë se është përpjekur ta minimizojë problemin. Sipas Ministrisë së Arsimit  126 shkolla janë të rikonstruktuara dhe bashkë me to dhe 45 terrene të reja sportive. Por opozita nga ana e saj e ka akuzuar se nuk ka bërë investimet e premtuara.