KRYEFAQJA » LAJME » Nis fushata zgjedhore në Maqedoni
Maqedoni, intensifikohet fushata zgjedhore

Nis fushata zgjedhore në Maqedoni

Partitë politike në Maqedoni filluan sot zyrtarisht fushatën zgjedhore e cila do të zgjasë deri më 9 dhjetor në mesnatë, për zgjedhjet e caktuara më 11 dhjetor. VMRO-DPMNE-ja fushatën e nisi në Ohër, Lidhja Social Demokrate në Prilep, Bashkimi Demokratik për Integrim në Shkup, njësoj si Partia Demokratike Shqiptare. BDI-ja ka paralajmëruar se do ta zhvillojë fushatën me strategjinë “derë më derë” me vizita të votuesve potencialë por edhe me mitingje në qytete. PDSH-ja gjithashtu ka paralajmëruar se do të zhvillojë takime të drejtpërdrejta me qytetarët nga të cilët do të kërkojë votën. Kurse një parti tjetër shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, është përqendruar në rajonin e Gostivarit. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit erdhën si rezultat i marrëveshjes së katër partive më të mëdha politike të cilat, pas negociatave të gjata, më 31 gusht pranuan të shkojnë në zgjedhje për të dalë nga kriza politike. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve bëri të ditur se të drejtë vote kanë 1,8 milion qytetarë. Votime do të mbahen edhe në 41 përfaqësi konsullore e diplomatike të Maqedonisë në vendet e huaja.