KRYEFAQJA » LAJME » Nis Kongresi i PS
Nis Kongresi i PS

Nis Kongresi i PS

PS forca me e madhe politike në Shqipëri dhe që aktualisht kryeson koalicionin qeveritar, ka nisur në Tiranë kongresin e saj të rradhës. Kongresin e hapi Erion Veliaj, kreu i Bashkisë së Tiranës, duke uruar mirëseardhjen “në shtëpinë më të madhe dhe më të fortë politike të Shqipërisë”. Një nga momentet kryesore të kongresit do të jetë statuti i ri i socialistëve, veçmas ndryshimet në lidhje me vazhdimësinë e kreut të partisë. Deri tani kreu i partisë konfirmohej çdo katër vjet sipas parimit një anëtar një votë. Propozimi i ri është që kryetari rikonfirmohet nëse partia fiton në zgjedhje, ose dorëhiqet pa kushte kur humb. Në prag të kongresit ka patur mjaftë debate se përse PS nuk ka zhvilluar zgjedhjen për kryetar. Kreu i PS zoti Rama e ka justifikuar me dinamiken e zhvillimeve kur socialistët e erdhën në pushtet në vitin 2013. Ai ka propozuar një referendum për qenien ose jo të tij në krye të partisë. Por kundërshtarët e tij, veçanërisht deputeti Ben Blushi, kanë këmbëngulur në zgjedhje. “Ju ftoj të keni shumë debate. Tirana vetë ka hapur shumë debate” tha zoti Veliaj në çelje të kongresit. Por “PS dhe kryetari nuk është qëllim në vetvete. Të mos i trajtojmë garat tona si qëllim më vete” tha ai.”Pasi të kemi mbyllur diskutimet në shtëpinë tonë shpresoj që nga ky Kongres të dalim më të fortë” shtoi zoti Veliaj. Në kongres ra në sy prania e shumë të ftuarve. Kreu i PS Edi Rama ishte ulur në rradhët e para bashkë me kreun e LSI Ilir Meta. Në kongres kanë përshëndetur përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët veçmas kanë vlerësuar kreun e PS dhe kryeministrin Edi Rama, si njeriu i cili po çon Shqipërinë në drejtimin e duhur.