KRYEFAQJA » LAJME » Nis kthimi masiv i azilantëve shqiptarë nga Gjermania
Nis kthimi masiv i azilantëve shqiptarë nga Gjermania

Nis kthimi masiv i azilantëve shqiptarë nga Gjermania

Ambasada gjermane në Tiranë njoftoi se dy avionë charter me 195 azilkërkues shqiptarë në Gjermani mbërrijnë këtë javë në Shqipëri. Sipas ambasadës dy avionët do të nisen nga Kasseli (Hessen) të mërkurën dhe të enjten për të mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”. Në çarterin e që mbërrin ditën e mërkurë ndodhen 70 shqiptarë të dëbuar, ndërsa ditën e enjte mbërrijnë 120 persona që do të kthehen vullnetarisht.
Në njoftimin e ambasadës gjermane bëhet e qartë se nuk ka azil ekonomik për qytetarët shqiptarë. “Në Gjermani nuk ka azil ekonomik! Ndërkohë aplikimet për azil nga Shqipëria do të përpunohen më shpejt. Shpenzimet për kthimin në atdhe duhet t’i paguajnë azilkërkuesit. Ato janë më të mëdha se ndihma që marrin azilkërkuesit në Gjermani” bëhet e ditur në njoftimin e ambasadës gjermane.
Autoritetet gjermane kanë bërë të ditur se brenda muajit gusht janë të paktën 5 avionë me azilkërkues shqiptarë që do të kthehen në Shqipëri. Gjatë këtij viti të paktën 6000 shqiptarë i janë drejtuar Gjermanisë në përpjekje për të siguruar një jetë më të mirë. Numri i lartë i azlikërkuesve ka çuar edhe në rritjen e polemikave midis maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë. Kjo e fundit akuzon qeverinë se me politikat e saj ekonomike po varfëron popullin, ndërsa qeveria këmbëngul se situata është krijuar edhe për shkak të keqkuptimeve mbi levizjen e lirë të shqiptarëve. Njoftime të ndryshme bëjnë të ditur se nga kjo situatë kanë përfituar trafikantët e azilantëve, të cilët kanë aktivizuar rrjetet e tyre. Autoritetet shqiptare duket se po tregohen të pafuqishme për të ndërprerë këtë lloj trafiku, pavarësisht deklaratave se po përpiqen maksimalisht. Disa specialistë të luftës kundër këtij trafiku këmbëngulin se rrjetet frymëzohen dhe krijohen nga segmente brenda strukturave shtetërore.