KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Nis “Loja promocionale e kuponit tatimor”
Ahmetaj : Më 1 gusht rinis aksioni i kuponave

Nis “Loja promocionale e kuponit tatimor”

Pas shkopit që u ka treguar bizneseve dhe blerësve, Ministria e Financave, po bën gati t’u ofrojë karrotën. Që prej 15 nëntorit, të gjithë kuponat e blerjeve duhen ruajtur, pasi ka nisur “Loja promocionale e kuponit tatimor”. Burime nga MF bëjnë të ditur se loja ka si qëllim ndërgjegjësimin dhe edukimin e bizneseve dhe blerësve, për dhënien e kuponave tatimor gjatë blerjes së produkteve apo shërbimeve. Loja do të organizohet për kuponat tatimor e lëshuar gjatë periudhës 15 Nëntor – 31 Dhjetor 2015 . Mbledhja e zarfave me kuponat tatimor të kësaj periudhe do bëhet nga data 1 deri më 11 Janar 2016.
Të drejtën për të marrë pjesë në lojën e kuponit tatimor e ka çdo qytetar, i cili ka tërhequr gjatë periudhës së zhvillimit të lojës kupona tatimorë nga blerjet. Qytetari, që të kualifikohet si pjesëmarrës në lojë, duhet të ketë mbledhur jo më pak se 50 kupona tatimorë dhe me vlerë totale të të gjithë kuponave jo më të vogël se 5,000 lekë.
Kuponat e mbledhura brenda periudhës së zhvillimit të lojës promocionale duhet të postohen nëpërmjet shërbimit rekomande të Postës Shqiptare në adresën: “Për Lojën promocionale të kuponit tatimor: Shtypshkronja a Letrave me Vlerë (ish topografia ushtarake), Tiranë”.
Përveç kuponave tatimorë, pjesëmarrësi duhet të vendos në zarf një etiketë me të dhënat e mëposhtme:
1-Emrin, mbiemrin, numrin e kartës së identitetit dhe nr. telefonit të lojtarit.
2-Vetëdeklarimin e numrit të kuponave të vëna brenda në zarf dhe vlerën nominale në lekë të gjithë kuponave.
Në momentin e postimit të zarfit, pjesëmarrësi do të pajiset me një dokument ku është i pasqyruar numri i barkodit të zarfit të dërguar (i ofruar nga posta). Ky numër do shërbejë si numër për identifikimin e secilit pjesëmarrës gjatë hedhjes së shortit dhe tërheqjes së çmimeve fituese.
Hedhja e shortit do të bëhet më datën 15 Janar 2016.
“Loja Promocionale e Kuponit Tatimor” ka 4 kategori fituesish. Në përfundim të lojës do të shpallen 500 fitues për një vlerë totale prej 8,000,000 lekësh.