KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Nis puna për hartimin e planeve vendore
Nis puna për hartimin e planeve vendore

Nis puna për hartimin e planeve vendore

Qeveria shqiptare hapi të mërkurën garën për projektet zhvillimore të 31 bashkive të vendit. 26 prej këtyre projekteve financohen nga qeveria shqiptare dhe 5 nga USAID. Fondi i vënë në dipozicion nga qeveria shqiptare është 560 milionë lekë. Në konferencen kombetare të organizuar me këtë rast, u firmosën kontratat mes studiove shqiptare dhe ndërkombëtare, të cilat kanë dalë fituese në konkursin e projektimit të zhvilluar në fund të vitit 2015, me 26 njësitë vendore. Në historinë e zhvillimit të territorit në vendit, është hera e parë që i hapet rruga fillimit të punës për hartimin e planeve vendore.
Duke folur kryeministri Edi Rama tha se ky është një angazhim të rëndësishëm dhe sfidues, por mjaftë të vonuar. “Plani përgjithshëm kombëtar duhet të ecë paralelisht me këto plane të pjesshme që janë në të njëjtën kohë pjesë e planit të përgjithshëm kombëtar. Nga ana tjetër është me shumë rëndësi që edhe këto plane të pjesshme të kenë një rol udhëzues në funksion të politikave kombëtare lidhur me investimet strategjike” tha zoti Rama.
Nga ana e saj Ministrija e Zhvillimit Urban, ka filluar punën për ngritjen e sistemit elektronik të lejeve të ndërtimit, i cili do të jetë pjesë e portalit të njohur e – Albania. “Ky sistem do t’ju vijë në ndihmë të gjitha institucioneve të përfshira në proces, duke lehtësuar ndërveprimin institucional, si dhe duke shkurtuar afatet për pajisje me leje ndërtimi dhe rritur transparencën ndaj qytetarëve” tha me këtë rast ministrja Eglantina Gjermeni.

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në Konferencën kombëtare të Planifikimit në nivel vendor:

I falenderoj dhe i përshëndes përzemërsisht të gjithë ekspertët e huaj që janë sot të pranishëm. Është privilegj për ne që të kemi mundësinë, pas një procesi të organizuar urtësisht dhe cilësisht mirë nga Ministria e Zhvillimit Urban, që të marrim në funksion të këtij transformimi historik të qasjes ndaj territorit, kontributet e të gjithë atyre.

Së dyti, i përshëndes dhe i falenderoj të gjithë kryetarët e bashkive këtu të pranishëm, për angazhimi e tyre dhe veçanërisht kryetarët e bashkive të opozitës, sepse konsideroj që prania e tyre këtu dhe angazhimi i përbashkët i kryetarëve të bashkive në këtë proces ka një rëndësi të patjetërsueshme për komunitetet që të gjithë ju drejtoni.

Së treti, i mirëkuptoj edhe shprehjet e padurimit të të gjithë kryetarëve të bashkive në një proces që është shumë i vonuar dhe është i vonuar çerek shekulli. Kjo që po bëjmë sot duhet të ishte bërë 25 vjet më parë dhe gjatë këtyre 25 viteve. Nëse do ta kishim bërë këtë, 25 vjet më parë ose gjatë këtyre 25 viteve, do të kishim një Shqipëri tjetër, do të kishin një territor tërësisht të ndryshëm dhe do të ishim duke bërë biseda tërësisht të tjera.

Territori është ekonomi. Do të kishim një ekonomi shumë më vibruese; Territori është shëndet. Do të kishim një situatë shumë më të shëndetshme; Territori është edukim dhe zhvillim. Do të kishim një zhvillim shumë më të qëndrueshëm; Territori është banesa e një shoqërie. Do të kishim një banesë shumë më të sigurt; Territori është hapësira e krijimit të mirëqenies për çdo individ. Do të kishim një hapësirë që do të kishte potenciale sot shumë më të mëdha, për të krijuar mirëqenie për çdo individ, nga hapësira që kemi, për shkak të kësaj vonese 20 e kusur vjeçare.

Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë, sepse, nëse e projektojmë këtë takim në raport me historinë, është një pikë uji në oqean dhe koha për të reflektuar dhe për t’i adresuar ashtu siç duhet gjërat që janë adresuar gabim në vite të tëra është gjithmonë koha e duhur.

Ne kemi marrë një angazhim që është ndër më të rëndësishmit, por edhe ndër më sfiduesit, hartimin e një Plani të Përgjithshëm Kombëtar. Një plan që, nuk është një fjalë goje sepse, ka të bëjë me një vizion që shkon përtej një mandati qeverisës, shkon përtej një procesi politik që lidhet me një klasë politike të caktuar, madje shkon edhe përtej një gjenerate.

Nga ana tjetër kërkon angazhimin e instrumenteve shumë kompleksë dhe të një fuqie dijeje, të cilën ne nuk e kemi. E pikërisht, sepse nuk e kemi, kemi ftuar këtu të gjithë ata që vijnë nga jashtë nesh, përfaqësues studiosh me kompetenca dhe dije, që janë një vlerë e shtuar në këtë proces dhe në këtë kohë, kur jetojmë në një botë kaq të hapur dhe me probleme që mund të jenë të ndryshme, por janë njëkohësisht edhe shumë të ngjashme. Sepse, nëse do të flisnim për ndryshimin e klimës, ky është një problem me të cilin përballen sot të gjithë. Ashtu sikundër, me një sërë shfaqjesh të tjera të një procesi transformimi dhe urbanizimi, që edhe në vendet më të zhvilluara shfaqet si kërcënim ndaj ekuilibrave të natyrës dhe të raporteve të individit me natyrën.

Megjithatë, ne e kemi marrë këtë angazhim. Unë e kam shprehur edhe në një nga dëgjesat e organizuara nga Ministria e Zhvillimit Urban, nuk kam qenë aq optimist sa të pres që vetëm në 2 vjet e gjysmë, një ekip të rinjsh e të rejash, të vënë në dispozicion të këtij projekti dhe nën lidershipin e ministres së Zhvillimit Urban, të arrinte të bënte atë punë që ka bërë falë edhe një aftësie të posaçme dhe një modestie të posaçme intelektuale për t’i njohur vetes kufizimet dhe për të dalë përtej kufijve të njohjes së kufizuar, duke ftuar të tjerët dhe duke bërë të mundur një koordinim me të tjerë, me arkitektë, me urbanistë të njohur, të tjerë më pak të njohur, por me aftësi të veçanta, nga vende të ndryshme të botës, për të materializuar një vizion që tanimë është i qartë dhe kërkon sigurisht ende punë për t’u detajuar.

Në fund të fundit, progresi i rëndësishëm është gjithmonë i mundur në qoftë se ne jemi të aftë që të planifikojmë çdo detaj, duke krijuar në të njëjtën kohë premisat që ndërhyrjet e fatit të ndodhin sipas kushteve të paracaktuara prej nesh, në kuptimin e zhvillimit të territorit. Të mos ndodhin siç kanë ndodhur në 25 vjet, ku kemi marrë pjesë në historinë e një zhvillimi intensiv. Sigurisht, ka ndryshuar shumë sa i përket raportit të individit apo familjes me kushtet e veta të banimit. Sot, shqiptarët, në një masë të madhe janë bërë me shtëpi, por që këtë ndryshim, ky model zhvillimi e ka kushtëzuar me një shkatërrim historik, me një barbari dhe me një masakër, pasojat e të cilës do të vazhdojmë t’i vuajmë ndër vite. Shkatërrim pyjesh, shkatërrim shtretërve të lumenjve, shkatërrim të strukturave natyrore mbrojtëse, shkatërrim të infrastrukturave që sot i kemi përpara syve, shkatërrim të fondit të tokës së bukës dhe mbi të gjitha – këtë unë e vë gjithmonë mbi të gjitha, edhe pse mund të duket e fundit, – shkatërrim i të gjithë pjesëve të trupit të bukur të Shqipërisë.

Duke goditur bukurinë e këtij vendi, ne në fakt godasim asetin më të çmuar që ka ky vend. Në gjithë këto vite asnjëherë nuk jemi ndalur që të marrim frymë dhe të mendojmë për peizazhin, sepse peizazhi është konsideruar luks i tepërt. Është konsideruar shumë më e udhës që t’i japim krahë zhvillimit intensiv, duke i rrëmbyer natyrës, plazheve, kodrave, ullishtave, vreshtave e kështu me radhë, territore të tëra. Pa menduar për të krijuar një harmoni midis nevojës tonë për zhvillim dhe domosdoshmërisë që të mos i kundërvihemi natyrës në pikën që të përballemi me hakmarrjen e saj, siç po përballemi në mënyrë sistematike, me fatkeqësi që nuk janë thjesht dhe vetëm rezultat i ndryshimit të klimës, por dhe asaj që ne i kemi bërë vendit tonë.

Sot, ndërtimi i një kornize të një zhvillimi urban të integruar, që nga njëra anë i jep përgjigje nevojës për ta trajtuar territorin si ekonomi, si shëndet, si edukim dhe zhvillim, si trupin e një shteti, jo si hapësirën e njerëzve të palidhur me njëri tjetrin, përmes raportit që kanë me shtetin dhe si hapësirën e krijimit të mirëqenies së çdo individi dhe për të siguruar që qytetarët dhe institucionet të vendosen në një raport të ri, është një sfidë e madhe, por jo e pamundur.

Nga ana tjetër, pjesë e kësaj sfide është që ne të mos e harrojmë për asnjë moment se ndërkohë që ne planifikojmë, nevojat për zhvillim, bëjnë të vetën. E për këtë arsye duhet të ecim paralelisht. Për këtë arsye, ne kemi ndryshuar tërësisht qasjen, duke braktisur shkollën e vjetër tradicionale të planifikimit urban, si një proces i ndarë nga nevojat e vetvetishme të zhvillimit dhe si një proces i diktuar nga lart poshtë, në një proces inovativ të planifikimit urban si një konsideratë e metabolizmit të gjithë organizmit të territorit.

Pra, nuk bëhet fjalë për një Plan të Përgjithshëm Kombëtar që është një mal me harta të ngrira dhe me kuadrate të përcaktuara për ndërtimin apo mosndërtimin, por bëhet fjalë për një sistem të tërë të metabolizmit urban dhe për krijimin e kushteve që nga njëra anë, të gjithë vendimmarrësit, por dhe të gjithë zhvilluesit, apo individët që kanë nevojë të përfshihen në këtë proces për të zhvilluar pronën e tyre apo për të ndërtuar ekonominë e tyre, të kenë në dorë instrumente, por njëkohësisht edhe të mos jenë të vendosur në llogore të ndara nga njëri tjetri, duke penguar njëri-tjetrin.

Kështu që, Plani i Përgjithshëm Kombëtar duhet të ecë paralelisht me këto plane të pjesshme që janë në të njëjtën kohë pjesë e planit të përgjithshëm kombëtar. Nga ana tjetër është me shumë rëndësi që edhe këto plane të pjesshme të kenë një rol udhëzues, në funksion të politikave kombëtare apo vendore, lidhur me investimet strategjike në infrastrukturë, lidhur me transportin, me telekomunikacionin, me zhvillimin industrial, me zhvillimin bujqësor, me plotësimin e nevojave për banim dhe për shërbime dhe sigurisht me potencimin maksimal të aseteve që ka Shqipëria, duke filluar nga bukuria e saj, e duke vazhduar me trashëgiminë historike, kulturore dhe natyrore.

Duhet thënë dhe diçka tjetër që ky plan dhe ky proces që sot organizohet me bashkitë do të ishte i pamundur pa reformën territoriale administrative, e cila vetëm pak muaj më parë na dha mundësinë e riorganizimit nga themeli të shtetit në nivelin e qeverisjes vendore, duke kaluar nga qindra njësi vendore në vetëm 61 të tilla dhe duke krijuar jo më feude të vogla burokratike e vatra të një korrupsioni endemik, të shpërndarë në të gjithë territorin si rezultat i mungesës së fuqive financiare, i mungesës së fuqive planifikuese, i mungesës së fuqive administrative, por njësi të reja ekonomike zhvillimi.

Sot, Shkodra është një njësi e re ekonomike zhvillimi. Vlora është një njësie e re ekonomike zhvillimi. Nuk janë më, dy qytete të rrethuara dhe të shtrënguara në darën e një zhvillimi intensiv, tërësisht të paqëndrueshëm jashtë kufijve të tyre administrativë dhe nën presionin dërrmues të duzinave të komunave rreth e rrotull, që faktikisht kanë funksionuar për vite të tëra si tumore që kanë thithur energjitë dhe kanë pervertuar funksionet vitale të këtyre gjymtyrëve kaq të rëndësishme për vendin tonë. E njëjta gjë mund të thuhet për të gjitha bashkitë, duke filluar nga Tirana, një kryeqytet që për 25 vjet përjetoi sulmin e një procesi zhvillimi rreth e rrotull, që nuk kishte në dorë as ta planifikonte, as ta orientonte dhe as përballonte. E faktikisht, nëse shohim sot vijën administrative të Tiranës së deri përpara 6 muajve dhe zhvillimin në hartën e Tiranës, sot bashki e re, do të shikojmë që Tirana e para 6 muajve, kryeqytet i Shqipërisë është si një organ i mbushur me metastaza rreth e rrotull.

Sfida e juaj, sfida e atyre që janë thirrur të na ndihmojnë, është që t’i japim një drejtim të qartë vizonit për të rivendosur ekuilibra, të vënë seriozisht në rrezik, ekuilibra urbanë, ekuilibra ekologjikë dhe ekuilibra ekonomikë. Ka shumë e shumë për të folur për këtë temë, por dua të theksoj edhe faktin që nuk bëhet fjalë për thjesht ekspertë të huaj që vijnë me të vërtetat e tyre, për të sjellë receta të gatshme. Bëhet fjalë për grupe të përbashkëta arkitektësh, urbanistësh, zhvilluesish të planifikimit që vijnë nga jashtë, me ata të cilët e kanë krijuar dalëngadalë eksperiencën e tyre dhe kanë krijuar studiot e tyre në Shqipëri.

Ky bashkëpunim ka një rëndësi të posaçme, për t’i dhënë dijes së ekspertëve të huaj, inteligjencën e territorit, pa të cilën çdo plan, sado i përsosur në letër, është i destinuar të dështojë.

Është hera e parë në Shqipëri që bëhet një Plan i Përgjithshëm Kombëtar, por nuk është hera e parë që bëhen plane të pjesshme. Po t’i referohemi arkivave të bashkive dhe të këtij shteti në këto 20 e kusur vite, do të gjemë plot dosje me plane të pjesshme dhe me projekte. Por ajo që do të shohim është se do të jetë e pamundur të përputhim çfarë shohim nëpër harta me çfarë kemi në realitet. Do ta kemi të pamundur të përputhim jo vetëm çfarë shohim në hartën e planit të Shkodrës, cilindo plan i bërë në këto 25 vet, apo të Vlorës, me çfarë shohim në territor, por do të jetë e pamundur të përputhim edhe çfarë shohim në arkivat e bashkive për një godinë të vetme me godinën që i korrespondon asaj lejeje ndërtimi. Që do të thotë që, nevojat e zhvillimit dhe batërdia e nxitja e kësaj batërdie, për shkaqe edhe historike, ka bërë të vetën deri në masën sa i ka skualifikuar plotësisht të gjitha përpjekjet e ekspertëve, urbanistëve, arkitektëve të mëparshëm dhe ka hedhur poshtë, plotësisht, të gjitha arsyet pse janë investuar kaq shumë para në gjithë këto vite, për të bërë lloj-lloj planesh.

Janë investuar para nga qeveria, nga bashkitë, nga zhvilluesit, nga sipërmarrësit, për të bërë plane, projekte dhe për të gjitha shfaqet e photoshop-eve dhe të autocad-eve, që në këto vite i mësuan edhe arkitektët shqiptarë. Nëse do t’i ekspozonim, do të ishte një ekspozitë e iluzioneve, sepse në realitet nuk do të gjenim pothuajse asgjë nga ato që konsiderohen si baza për zhvillimin që ka ndodhur jashtë.

Kjo është arsyeja pse unë besoj se ky bashkëpunim është thelbësor dhe ndërveprimi mes ekspertëve të huaj dhe atyre shqiptarë është shumë i rëndësishëm, pavarësisht se njëra palë ka një CV shumë më të pasur dhe një autoritet shumë më të konsoliduar për shkak të aktivitetit që ka bërë jashtë, pala tjetër mund ta ketë pak më të varfër dhe më pak të konsoliduar, qoftë CV, qoftë dijen.

Më vjen mirë edhe për një gjë tjetër. Nëse do të shohim si ka ardhur ky proces që nga muaji gusht, menjëherë mbasi ne kemi bërë reformën dhe pa filluar ende të thahet boja e ligjit të reformës dhe ende pa u konstituuar të gjitha bashkitë dhe pa u futur në detyrë kryetarët e bashkive që dolën fitues nga fushata e parë pas reformës, ne ishim përgatitur dhe kemi bërë thirrjen për “shprehje interesi”, që është publikuar edhe në gazetën “Financial Times”, për të tërhequr sa më shumë studio të huaja dhe një ekspertizë sa më të lartë.

Ajo që përbën një burim inkurajimi dhe kënaqësie për ne është se interesimi ka qenë shumë i madh. Ka pasur lote, për të cilat ka pasur edhe mbi 15 aplikime dhe mesatarisht kanë qenë 10 studio të huaja që kanë aplikuar për një lot. Kjo është edhe një arsye që ata që kanë ardhur sot në Tiranë të ndjehen mirë, sepse kanë fituar gara me shumë konkurrentë. Por është edhe një arsye për ne, që të kuptojmë se jemi në rrugën e duhur dhe se kjo qasje është qasja e duhur për të krijuar ura reale të bashkëpunimit real, me ekspertizë realisht cilësore. Nga gjithë Europa, madje edhe nga jashtë saj dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka pasur aplikime.

Ndërkohë, ne dëshirojmë që ky proces të vazhdojë edhe përtej një kontrate. Dëshirojmë që ata që do të përfshihen në këtë proces, ngushtësisht me bashkitë, të marrin përsipër edhe më shumë, sesa çfarë parasheh kontrata dhe bashkëpunimi për të realizuar një plan. Dëshirojmë të shkojmë drejt një rruge ku kryetarët e bashkive, që sot janë autoritete me fuqi të plotë për të marrë vendime për zhvillim dhe për të dhënë leje ndërtimi, të kenë konsulencën e atyre që do të bëjnë planet, për të detajuar më tutje procesin e zhvillimit dhe për t’i dhënë përgjigje më tutje kërkesave konkrete. Pra, të kemi një kryetar bashkie dhe mundësisht të kemi edhe një kryearkitekt që të jetë në rolin jo të vendimmarrësit, por të konsulentit, siç është e udhës të bëhet dhe siç e kanë shumë e shumë vende. Që, për shembull, të mos i ngjajmë Italisë këtu, që nuk e ka këtë respekt për arkitektët bashkëkohorë dhe shpeshherë, kryetarët e bashkive bëjnë gabime shumë të rënda.

Jam shumë krenar që midis arkitektëve që janë këtu sot është edhe Stefano Boeri, që është një nga mendjet më të ndritura në botën e sotme të këtyre sfidave, por është edhe një nga zemrat më të lodhura, për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme që ka pasur në përpjekje për t’i iluminuar vendimmarrësit në vendin e tij, në Itali. Megjithatë, unë besoj që qoftë Stafano, qoftë gjithë të tjerët që kanë ardhur këtu sot, kanë një mundësi që çfarë nuk e kanë bërë dot ashtu siç duhet në vendin e tyre të mund ta bëjnë këtu dhe të mos harrojnë se nuk ka profet në vendin e vet. Kështu që, këtu jeni shumë më të mirëpritur dhe dëshira jonë për të ndjekur trendet më inovative dhe rrugët më të shpejta që përcakton dija dhe eksperienca dhe për të mos qenë pre e një tradite që të mban peng, është absolutisht e padiskutueshme.

Edhe një herë, shumë faleminderit të gjithëve për prezencën, shumë faleminderit për angazhimin. Firmosja e këtyre kontrata është vetëm fillimi i një pune shumë të madhe, i një sfide shumë të madhe që është një sfidë e përbashkët. Ne jemi në mbështetje të plotë të të gjitha bashkive. Fondi i Zhvillimit të Rajoneve është në dispozicion, por nuk është një fond ku gjithsecili mund të marrë atë që dëshiron, por vetëm ku gjithsecili do të marrë atë që meriton. Për ta merituar duhet të bëjë projekte të besueshme, cilësore, që të jenë pjesë e një vizioni të besueshëm zhvillimi dhe njëkohësisht që të garantojnë se paratë që do të vihen në dispozicion nuk do të shkojnë dëm, siç kanë shkuar për vite e vite të tëra, kur kjo strukturë aprovonte projekte në emër të nevojave politike, në emër të nevojave elektorale, në emër të nevojave që kishin lloj-lloj emrash, por që një emër nuk e kishin kurrë: zhvillim i qëndrueshëm urban, ekonomik dhe social.

Shumë faleminderit!