KRYEFAQJA » LAJME » Nis punën impianti i dytë i diferencimit të mbetjeve; Veliaj: Të vendosur të mbajmë pastër Tiranën
Veliaj-ne-impiantin-e-Sharres-1

Nis punën impianti i dytë i diferencimit të mbetjeve; Veliaj: Të vendosur të mbajmë pastër Tiranën

Bashkia e Tiranës vijon projektin për ndarjen e mbetjeve, duke vënë në punë edhe impiantin e dytë për diferencimin e tyre. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se synimet kryesore janë mbajtja pastër e qytetit, por edhe gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për të zgjatur jetëgjatësinë e landfillit të Sharrës.
“Që të arrijmë këto dy misione, pra që të kemi një qytet të pastër, por edhe një landfill e menaxhim modern të mbetjeve, na duhet pak bashkëpunim. Duke nisur nga kjo verë, nuk do të lejojmë që çdo vendgrumbullimi mbetjesh apo çdo konteiner mbeturinash të kthehet në pikë riciklimi”, tha kryebashkiaku Veliaj.
“Jam i vendosur që Tirana të jetë e pastër dhe jam i vendosur, po ashtu, që Tirana të fusë metoda moderne të riciklimit, ku sa më pak mbetje shkojnë në landfill, duke u siguruar që të diferencojmë plastikën, metalet, letrën e çdo gjë tjetër që mund të riciklohet, për t’i zgjatur jetën edhe landfillit të Sharrës,” deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj paralajmëroi masa ligjore ndaj çdokujt që grumbullon mall që merret nga koshat e mbeturinave, pasi ato janë pronë e bashkisë. Por në të njëjtën kohë u ofroi një mundësi punësimi atyre që merren me këtë aktivitet.
“U bëj thirrje atyre që grumbullojnë mallin që merret nga koshat e mbeturinave të Tiranës, se do të ketë penalizime sipas ligjit. Do të përdorim çdo mjet të ligjit për të ndaluar këtë shfrytëzim të njeriut nga njeriu. Ata nuk i ndihmojnë ata që rrëmojnë nëpër plehra, përkundrazi po i shfrytëzojnë në kushte skandaloze, pa sigurime shoqërore. Kjo nuk është një ofertë punësimi, kjo është një ofertë shfrytëzimi dhe skllavërie. Ofertë punësimi është kjo e Bashkisë së Tiranës, ku vihet dhe punohet me uniformë, sipas të gjitha standardeve”, deklaroi kryebashkiaku.
Me krijimin e impiantit të parë për diferencimin e mbetjeve në Sharrë, u arrit të punësoheshin nga bashkia mbi 200 veta, kryesisht të komunitetit rom. Mundësia për punësim shtohet me futjen në funksionim edhe të impiantit të dytë.